Telegrafi

Përfshirja e Wagnerit në Mali, sekretari Blinken paralajmëron grupin paraushtarak të përkrahur nga Kremlini

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka paralajmëruar grupin paraushtarak rus Wagner për përfshirjen e tyre në Mali, duke bërë thirrje për një tranzicion civil në vend.

Gjatë një vizite në Senegal, Blinken tha se Shtetet e Bashkuara së bashku me partnerët janë duke u përpjekur për të vendosur stabilitet, në vendin e shkatërruar nga lufta.

“Është për të ardhur keq nëse akterë të jashtëm angazhohen për t’i bërë gjërat edhe më të vështira dhe më të komplikuara, në veçanti nga grupi Wagner”, tha Blinken.

“Sapo qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike të marrë detyrën, komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të mbështesë Malin”, ka shtuar ai.

Grupi mercenar, të cilën kryeqytetet perëndimore e shohin si të lidhur ngushtë me Kremlinin, ka qenë prezentë në konflikte, si në Ukrainë, Afrikë dhe Lindjen e Mesme.

Grupi Rajonal i Afrikës Perëndimore (ECOWAS) në fillim të këtij muaji vendosi sanksione ndaj anëtarëve të juntës ushtarake, që sundon në Mali që nga marrja e pushtetit në gusht të 2020-së.

Lexo po ashtu Kush janë ushtritë mercenare ruse (PMC) që po luftojnë nëpër botë në emër të Kremlinit?

Në fillim të javës, Bashkimi Evropian është pajtuar të hartojë listën e sanksioneve ndaj mercenarëve rusë. Gjatë muajit shtator, junta ushtarake e Malit ishte në diskutime për vendosjen Wagnerit në vend.

“Ekziston një vullnet i përbashkët për të vendosur një kornizë ligjore për sanksionet që do të vendosen ndaj mercenarëve rusë Wagner”, kishte thënë ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, gjatë një takimi me ministrat të BE-së.

Le Drian tha se çdo sanksion do të vendoset gjithashtu ndaj kompanive që punojnë me Wagnerin.

Zyrtarët francezë thonë se junta po i kthehet Wagnerit si pjesë e përpjekjeve për të ardhur në pushtet përtej një periudhe tranzicioni që do të përfundojë pas zgjedhjeve presidenciale dhe të përgjithshme. /Telegrafi/