Zyrtarë të shumtë perëndimorë kanë dënuar bombardimet ruse që kanë nisur përreth Ukrainës në orët e para të së enjtes.
Deri më tani shtatë persona kanë humbur jetën si rrjedhojë e këtyre bombardimeve.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka bërë thirrje Rusisë që të ndërprerë menjëherë veprimet e saj ushtarake për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Unë dënoj fuqishëm sulmin e pamatur dhe të paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës, i cili vë në rrezik jetë të panumërta civilësh. Edhe një herë, pavarësisht paralajmërimeve tona të përsëritura dhe përpjekjeve të palodhura për t’u angazhuar në diplomaci, Rusia ka zgjedhur rrugën e agresionit kundër një vendi sovran dhe të pavarur”, ka thënë Stoltenberg.
Reagim të ngjashëm ka pasur edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila duke folur në Bruksel dënoi presidentin rus Vladimir Putin për “kthimin e luftës në Evropë”.
Ajo njofton se një paketë sanksionesh “masive” do të propozohet më vonë në një përpjekje për të dobësuar bazën ekonomike të Rusisë.
“Me këtë paketë, ne do të synojmë sektorët strategjikë të ekonomisë ruse duke bllokuar aksesin e tyre në teknologjitë dhe tregjet kryesore. Ne do të dobësojmë bazën ekonomike të Rusisë dhe kapacitetin e saj për t’u modernizuar”, thotë ajo.
“Përveç kësaj, ne do të ngrijmë asetet ruse në BE dhe do të ndalojmë hyrjen e bankave ruse në tregun financiar evropian. Ashtu si me paketën e parë të sanksioneve, ne jemi të lidhur ngushtë me partnerët dhe aleatët. Këto sanksione janë krijuar për të pasur ndikim në interesat e Kremlinit dhe në aftësinë e tyre për të financuar luftën”.
Zyra e Jashtme në Gjermani, ka deklaruar se Rusia po shkel rregullat më të rëndësishme të rendit ndërkombëtar.
With its attack on Ukraine, #Russia violates the most basic and important rules of the international order. The international community will not forget this day of shame. In close coordination with our partners, we will respond. We stand in solidarity with #Ukraine. @ABaerbock https://t.co/6bsl1xtzuT
— GermanForeignOffice (@GermanyDiplo) February 24, 2022
“Me sulmin e saj ndaj Ukrainës, Rusia po shkel rregullat më themelore dhe më të rëndësishme të rendit ndërkombëtar. Komuniteti ndërkombëtar nuk do ta harrojë këtë ditë turpi. Në koordinim të ngushtë me partnerët tanë, ne do të përgjigjemi. Ne qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën”, thuhet në njoftimin e tyre.
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron i ka bërë thirrje Rusisë që të përfundojë “menjëherë” operacionet ushtarake në Ukrainë.
“Franca dënon me forcë vendimin e Rusisë për të luftuar Ukrainën. Rusia duhet të përfundojë menjëherë operacionet e saj ushtarake”, tha ai në një postim në Twitter të enjten. “Franca qëndron në solidaritet me Ukrainën. Ajo qëndron me ukrainasit dhe po punon me partnerët dhe aleatët e saj për t’i dhënë fund luftës”. /Telegrafi/