Ekipi i sigurisë i Facebook po ndërmerr hapa të rinj për të mbrojtur llogaritë e përdoruesve në Ukrainë.
Facebook u ofron ukrainasve një mjet për të “mbyllur profilet e tyre” dhe krijon një qendër për operacione speciale për të “monitoruar nga afër” atë që po ndodh në Ukrainë, e cila është nën sulmin nga Rusia.
Vegla e mbylljes së llogarisë u jep përdoruesve qasje që me një klikim tek veçoria e privatësisë dhe sigurisë, ka zbuluar drejtori i Meta Security Nathaniel Gleicher.
“Pasi bllokohet një profil, njerëzit që nuk janë në listën e miqve të përdoruesit nuk mund të shkarkojnë ose ndajnë foton e profilit të tyre ose të shohin postimet në afatin kohor,” tha Gleicher.
Kjo nuk është hera e parë që Facebook ka inkurajuar përdoruesit në pjesë të pasigurta të botës që të mbyllin profilet e tyre.
I njëjti mjet iu dha popullit të Afganistanit gjatë verës pas tërheqjes së ushtrisë amerikane nga ky vend.
Meta thekson se ky mjet do të jetë veçanërisht i dobishëm për gazetarët, aktivistët dhe të tjerë që janë në rrezik më të madh për t’u bërë “shënjestër”.
Rrjeti social formoi gjithashtu një ekip të posaçëm për të monitoruar ngjarjet në Ukrainë.
“Në përgjigje të konfliktit ushtarak në Ukrainë, ne kemi krijuar një Qendër të Operacioneve Speciale në kohë reale. Ajo përbëhet nga ekspertë, duke përfshirë njerëz që flasin gjuhën ukrainase për të monitoruar më mirë situatën dhe për të reaguar sa më shpejt të jetë e mundur”, njoftoi Meta. /Telegrafi/