Pas ndeshjeve të Përfaqësueseve, rikthehet elita e futbollit kosovar në aksion.
Ditën e sotme do të zhvillohet dy ndeshje mjaftë interesante, ku vëmendja e adhuruesve kosovarë do të jetë në Podujevë, në sfidën mes Llapit dhe Gjilanit.
Llapjanët kanë marrë dy fitore në dy ndeshjet e para dhe synojnë të vazhdojnë me të njëjtin ritëm.
Shtylla kryesore e mbrojtjes së Llapit, Dardan Jashari ka thënë për Telegrafin se skuadra është përgatitur mjaftë mirë për këtë duel.
“Përgatitjet gjatë kësaj kohe kanë shkuar mjaftë mirë. Jemi në formë të mirë dhe të gatshëm për këtë sfidë”, tha Jashari.
Sipas Jashari skuadra e tij në këtë sfidë futet me qëllim që të vazhdoj me fitore.
“Synimi ynë kryesor është ta fitojmë edhe këtë sfidë, por pa e nënçmuar Gjilanin që ka një skuadër shumë të mirë dhe të komponuar”, u shpreh Jashari.
Ndërkohë edhe Gjilani ka startuar mjaftë mirë këtë edicion ku ka marrë një fitore dhe një barazim.
Mesfushori kryesor i Gjilanit në këto dy sfidat e para ka qenë Filonit Shaqiri i cili ka shkëlqyer si ndaj Besës ashtu edhe ndaj Feronikelit.
“Në dy ndeshjet e para kemi pasur paraqitje të mirë edhe pse kemi pasur mundësi të marrim më shumë se katër pikë”
“Sot na pret një ndeshje e vështirë pasi Llapi është një skuadër e fortë dhe ka marrë maksimumin e pikëve pas dy takimeve”.
“Gjilani në çdo ndeshje futet për të marrë maksimumin e pikëve dhe kësisoj do të udhëtojmë edhe për në Podujevë që të triumfojmë edhe pse kemi disa mungesa shumë të rëndësishme”, tha Shaqiri për Telegrafin.
“Besoj se do të jetë një ndeshje e bukur për sy dhe në fund shpresojmë të kthemi të pamposhtur në Gjilan”, deklaroi Shaqiri.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’, ndërsa do të drejtohet nga Besfort Kosumi me ndihmësit Driton Preniqi, Fatmir Abrashi dhe Labinot Fejzaj.
Ndeshja tjetër e paraparë për tu zhvilluar ditën e sotme është ajo mes dy skuadrave ish-kampione në Kosovë, Feronikelit dhe Besës.
Ashtu si Gjilani edhe Feronikeli është skuadër e pamposhtur ku ka katër pikë pas dy ndeshjeve.
Ndërkohë, Besa pas humbjes në ndeshjen e parë triumfoi ndaj Dritës 2-0 duke dëshmuar se nuk është futur e dorëzuar në këtë vit kalendarik. /Telegrafi/