Tashmë e gjithë bota janë të njoftuar me talentin e padiskutueshëm të artisteve shqiptare.
Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha janë vajzat që kanë bërë krenarë shqiparët kudo në botë me sukseset e tyre.
Dëshira për t’i parë të treja së bashku në një skenë ose qoftë edhe në një fotografi, mbetet ende vetëm dëshirë e fansave, ngase fatkeqësisht Dua dhe Rita nuk kanë arritur të krijojnë një raport miqësor.
Krejt e kundërta ndodh me shqiptaren e famshme nga Maqedonia, Bebe Rexha, e cila ruan një raport tejet të mirë, si me Duan ashtu edhe me Ritën.
Madje së fundmi, përbrenda një jave ka qenë pjesëmarrëse në tri evente të ndryshme, përkrah këngëtareve Lipa e Ora.
Të dielën që shkoi, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve “MTV Europe Awards”, ku të pranishme ishin Bebe dhe Dua.
Bebe Rexha performoi për fansat hitin e saj “I’m a mess” duke ndezur skenën e Bilbaos në Spanjë, teksa Dua u shpërblye me çmimin “Best POP”.
Ndërkohë, pas përfundimit të mbrëmjes, dy vajzat janë argëtuar së bashku me familjarët e tyre në dhomën e hotelit, duke vallëzuar me njëra-tjetrën, teksa çdo moment e ndanin me fansat në rrjetet sociale.
Vetëm pak ditë më pas, Rexha u nis për në New York, ku do të paraqitej në ngjarjen më të madhe të modës, sfilatën e “Victoria’s Secret”.
Në po të njëjtën ngjarje, ishte prezente edhe shqiptarja tjetër e famshme, Rita Ora, e cila gjithashtu performoi për fansat.
Rita ka një miqësi shumë të mirë me Bebe Rexhën, madje që të dyja janë pjesë e të njëjtit label, “Firs Access Entert5ainemnt”.
Bebe Rexha dhe Rita Ora këtë vit kanë qenë më të afërta se kurrë, madje ato së bashku kanë ndarë çmime në festivalet si ‘iHeart Music Radio” dhe “MTV Video Music Awards”.
Pas përfundimit të shfaqjes së “Vicotira’s Secret”, Rexha u rikthye sërish në Evropë, kësaj radhe në Kanë të Francës, për festivalin “NRJ Music Awards”.
Në po të njëjtin festival, ishte sërish prezente Dua Lipa, dhe këngëtaret shqiptare u takuan prapë mes vete.
Bebe publikoi në Instagram një fotografi të dyshes, ku shfaqeshin shumë të lumtura pranë njëra-tjetrës, teksa komentet e shumta nga fansat nuk kanë munguar.
Njëra nga komentueset e ka ngacmuar Bebe Rexhën, duke i thënë se e ka anashkaluar Ritën, përderisa tani shoqërohet me Duan, ndërkohë kundërpërgjigja e Bebe Rexhës ka qenë e menjëhershme.
“JO! Mos ja nisni këtë. Rita është gjithashtu shoqja ime”, ka qenë kundërpërgjigja e Bebe Rexhës, drejtuar fanses në Instagram.
Pra për vetëm brenda një jave, Bebe Rexha ka ndërruar dy kontinente, ka performuar në tri spektakle të mëdha, në dy prej të cilave ka marrë pjesë Dua Lipa, dhe në njërën Rita Ora – ndërkohë që ajo është takuar dhe ka shkëmbyer përqafime me të dyja.
Duket se strategjia e saj për ta pasur mirë me të dyja ka ndikuar për mirë, dhe mbase këngëtarja dibrane mund të jetë në ardhmen “ura” që do të bashkojë dy këngëtaret tjera të njohura Dua dhe Rita, të cilat nuk kanë arritur të krijojnë një raport as sa për sy e faqe. /Telegrafi/