Telegrafi

Pensionohet Asamoah, ish-futbollisti i Juventusit dhe Interit

(Foto: Twitter/Juventus FC)

Ish-futbollisti i Juventusit dhe Interit, Kwadwo Asamoah, ka njoftuar për pensionimin e tij në moshën 33 vjeçare.

Ganezi arriti në Itali në janar të vitit 2008 nga ekipi zviceran, Bellinzona, për t’u huazuar te Torino për gjashtë muaj, para se të transferohej te Udinese.

Pas katër viteve të kaluara te Udine, ai iu bashkua Juventusit për rreth 18 milionë euro. Te Zonja e Vjetër i kaloi gjashtë vite duke fituar gjashtë Scudetto, katër Kupa të Italisë dhe tri trofe të Superkupës së Italisë.

(Foto: Twitter/Inter)

Asamoah regjistroi 156 paraqitje me Bianconerët në të gjitha garat duke shënuar pesë gola dhe duke dhuruar 20 asistime, para se të largohej si lojtar i lirë në verën e vitit 2018.

Në atë verë, mbrojtësi i krahut iu bashkua Interit, ku i kaloi dy vite dhe zhvilloi 53 ndeshje, para se t’i skadonte kontrata.

Pas një kohe të kaluar jashtë fushë, iu bashkua Cagliarit, ku i kaloi gjashtë muajt e fundit të karrierës së tij. Tash është duke u trajnuar që të bëhet agjent i lojtarëve. /Telegrafi/