Site icon Telegrafi

Peci: Do t’i kompensojmë dëmet në bujqësi të shkaktuara nga vërshimet

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka bërë të ditur se dëmet që janë shkaktuar nga shiu gjatë ditës së shtunë do të kompensohen nga Ministria e Bujqësisë.

Këtë e ka bërë të ditur Peci përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ku shkroi se kishte vizituar edhe komunën e Gjakovës si dhe kishte takuar kryetarin Ardian Gjini ku u njoftua më nga afër për dëmet e shkaktuara nga vërshimet.

“Dëmet e shkaktuara në bujqësi nga reshjet e shiut, do të kompensohen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Vizitova sot Komunën e Gjakovës së bashku me zv. Ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal Agon Dobruna, për tu parë më nga afër me dëmet e shkaktuara në bujqësi nga reshjet që mbizotëruan këtë fundjavë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.  Në kuadër të kësaj vizite, takova edhe Kryetarin Ardian Gjini, i cili më njoftoi me të gjitha zonat e prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut si dhe me ecurinë e procesit të vlerësimit të dëmeve”, tha ai.

Ministri theksoi se këtë vit kompensimet do të behën pas vlerësimit të raporteve që do të sjellin në këtë ministri, drejtoritë komunale për bujqësi.

“Si Ministri, edhe këtë vit do realizojmë kompensimin e dëmeve në bujqësi. Këto dëme do të kompenzohen pas vlerësimit të raporteve që do t’i sjellin drejtoritë komunale për bujqësi. Ne kemi të themeluar Komisionin për Dëme në Bujqësi i cili do të bëjë analizimin dhe vlerësimin e raporteve që vijnë nga Drejtoritë përkatëse.  Muaji nëntor do të jetë muaji ku edhe do të fillojnë ekzekutimi i pagesave për dëmet në bujqësi për vitin 2022”, shkroi Peci në Facebook.

Gjatë ditës së shtunë për shkak të reshjeve të dendura të shiut disa banorë në komunën e Gjakovës dhe Rahovecit kanë mbetur pa shtëpi, përveç kësaj dëme të konsiderueshme këto vërshime kanë shkaktuar edhe në kulturat e ndryshme bujqësore./Telegrafi/

Exit mobile version