Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avi Bytyçi, ka reaguar pas tubimit që ka mbajtur kreu i LVV-së, Albin Kurti me qytetarët në Podujevë.
Bytyçi ka kritikuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke thënë se edhe sa ishte kryeministër ka organizuar protesta, transmeton Telegrafi.
“Gëzimi për fitore politike nuk e justifikon diletantizmit politik të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Podujevës gjatë pandemisë. Mesatarisht mbi 13 qytetarë në ditë janë duke vdekur si pasojë e koronavirusut (Sars-CoV-2). Albini njëjtë pati vepruar edhe sa ishte kryeministër, në pikun e pandemisë pati organizuar protesta, ndërsa gjatë verës për qëllime politike lejoi hapjen e pakontrolluar. Kur të kaloj gëzimi i Albinit me shokë, sot gjatë ditës do ta marrim një njoftim nga IKSHP se mbi dhjetë qytetarë e kanë humbur jetën”, ka pohuar Bytyçi.
Zëdhënësi i PDK-së, ka thënë se për LVV-në jeta e qytetarëve ka pak rëndësi, dhe se me rëndësi është pushteti.
“Është e kuptueshme për Albinin dhe Lëvizjen Vetëvendosje se jeta e qytetarëve ka pak rëndësi, me rëndësi është pushteti. Me stilin virusi nuk ekziston, e as shteti, kur VV është opozite, Albini me partinë e tij me ketë sjellje tërësisht të papranueshme është po ashtu përgjegjëse për situatën aktuale me pandeminë, dhe për fat të keq edhe numrin e madh të vdekjeve”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.
Ndryshe, Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut.
Valdete Daka, kryetare e KQZ-së ka thënë në konferencë për media se Shpejtim Bulliqi (LVV), ka fituar 51.64 për qind, Nexhmi Rudari (LDK), 36.97 për qind dhe Naim Fetahu (PDK), 12.40 për qind. /Telegrafi/