Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme SPAK zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës e Energjisë, Belinda Balluku, lidhur me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogorasë.
Kallëzimi është dorëzuar në SPAK nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, me pretendimin se “në bashkëpunim Balluku dyshohet se ka kryer veprat penale të ‘shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’ dhe ‘korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë’”.
Sipas PD-së, “ky kallëzim ka lidhje me kostot e fryra të ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, ku dyshohet se vlera e tij u shtua më 30 milionë euro që i shkuan një kompanie turke, e cila nuk bëri asnjë punim”.
“Dokumentacioni i plotë, së bashku me shkeljet përkatëse, që kanë sjellë abuzimin me të paktën 30 milionë euro ndaj buxhetit të shtetit, dhe që dyshohet se është vlera e ‘tarifës së korrupsionit’, i janë vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në njoftimin për shtyp të PD-së.
Grupi parlamentar i PD-së ka kërkuar nga SPAK që të nisë menjëherë hetimin e plotë dhe të gjithëanshëm mbi këtë çështje dhe të vendos përpara përgjegjësisë penale zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës e Energjisë Belinda Balluku, si dhe çdo person tjetër që do të rezultojë gjatë hetimeve që ka përgjegësi penale për këtë abuzim. /Telegrafi/