Banorët e Kievit kanë shfrytëzuar ditët e nxehta të vikendit, që në mënyrë masive të zbresin drejt plazhit qendror të brigjeve të Dneparit.
Vetëm disa javë më parë, kryeqyteti i Ukrainës ishte cak i sulmeve ajrore nga forcat ruse, që nuk kursenin asgjë – nga bombardimi i shkollave, spitaleve e deri te teatrot e qendrat tregtare, transmeton Telegrafi.
Në fotografitë e publikuara nga plazhi, shihen qindra ukrainas duke marrë rreze dielli, duke luajtur me top apo notuar, derisa në anën tjetër të ujit shihen pasojat e bombardimeve ruse.
Jo shumë moti, ky qytet ishte i mbuluar me tym të zi, rrënoja dhe vazhdimisht kishte bombardime, shkruan Daily Mail, por asokohe qyteti ishte i mbuluar edhe me borë – e duket se ditët e nxehta i kanë shtyrë të dalin paksa të relaksohen.
Kujtojmë që në këtë qytet forcat ruse për asnjë moment nuk kanë mundur ta pushtojnë apo të paktën ta rrethojnë, pasi që ukrainasit ishin “arrë e fortë” për ta, dhe në një moment u detyruan të tërhiqen nga të rifokusohen në lindje të vendit.
Megjithatë në territorin e Ukrainës, çdo ditë raportohet për 100 të vdekur, ku edhe në Kiev disa ditë më parë janë dëgjuar sërish sirenat që paralajmërojnë sulmet ajrore.
Në këtë qytet mbetet në fuqi ora policore nga 23:00 e deri në 5 të mëngjesit, por në qytet mbretëron pak a shumë një atmosferë ndryshe – kafiteritë janë të hapura sikurse edhe restorantet.
E autoritet e sigurisë kanë bërë thirrje për kujdes pasi në këto ujëra mund të ketë lëndë të ndryshme shpërthyese, që mund të mos kenë shpërthyer kur janë hedhur nga rusët.
Një pjesë e madhe e banorëve të qytetit me dy milionë, që në fillim të pushtimit rus ishin larguar – kanë filluar të rikthehen nëpër shtëpitë e tyre. /Telegrafi/