Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) përmes një video-mesazhi ka bërë të ditur se vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë si dhe të garantojë lirinë e lëvizjes në çdo kohë.
Në një video të postuar në Facebook të mërkurën në mbrëmje, KFOR-i rikujton se është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët thekson se po punojnë në koordinim të ngushtë.
KFOR-i rikujton se janë 4,600 trupa që kujdesen për një mjedis të sigurt në Kosovë për të gjitha komunitetet dhe për të parandaluar rrezikun e përshkallëzimit të ri.
“Pavarësisht kërcënimeve prej nga vijnë jemi gati t’i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme që të vazhdojmë të përmbushim mandatin tonë…”, thuhet në video.
Ndërkaq, ditë më parë zëvendëskomandanti i KFOR-it, Gjeneral Brigade Federico Bernacca gjatë një paneli diskutimi në kuadër të Forumit Ballkanit që është mbajtur në Budapest të Hungarisë ka folur lidhur me sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR në maj të 2023 nga grupet serbe, gjersa ka dërguar mesazh që të mos “ngatërrohen me KFOR-in pasi kanë të bëjnë me organizatën më të fuqishme në botë”.
Ai gjithashtu dërgoi mesazh për të gjithë ata që sulmojnë njësitë e KFOR-it. “Nëse ngatërroheni me njerëzit tanë, do të keni të bëni me të gjithë organizatën ushtarake më të fuqishme në botë”, tha ai.
Bernacca theksoi se KFOR-i është e aftë të përballet me kriza serioze.
Ndërkaq, javë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte dhënë deklaratat kërcënuese ndaj Kosovës.
Siç kishte raportuar Danas, Vuçiq ka theksuar se nuk e përjashton mundësinë që Serbia të përdorë forcën në Kosovë, për shkak të sjelljes së autoriteteve të Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar.
E ndaj kësaj deklarata ka pasur reagime të shumta.
Edhe admirali i pensionuar amerikan dhe ish-komandant suprem i forcave aleate të NATO-s, James Stavridis, ka ngjallur shqetësime rreth ndërhyrjes së mundshme ruse në Ballkan, duke iu referuar luftës hibride si mjeti potencial i agresionit.
Në një artikull të botuar së fundmi në “Bloomberg”, Stavridis theksoi rrezikun e sulmeve kibernetike që mund të cenojnë infrastrukturën jetike të Kosovës, një veprim që do të shtonte tensione dhe pasiguri në rajon.
Admirali i pensionuar parashikon se një ofensivë e tillë nga ana e Kremlin-it përfshirë sulme në rrjetin energjetik të Kosovës, do të krijojë konfuzion të madh dhe pakënaqësi sociale.
Ai shton se NATO duhet të ndërmerr hapa konkretë për t’u përballur me një kërcënim të tillë, duke sugjeruar fuqizimin e mbrojtjes kibernetike për Kosovën dhe Bosnjën joserbe. /Telegrafi/