Paulo Dybala ka thënë se do ta pëlqente shumë po të luante për Barcelonën, derisa ka bërë të ditur se ende po pret që të rinovojë kontratën me Juventusin.
26-vjeçari e ka shijuar këtë edicion te Zonja e Vjetër para se të suspendohej nga coronavirusi, gjersa në vitin e kaluar lidhej me një largim nga Torino.
Sulmuesi argjentinas pritet që të rinovojë kontratën me Zonjën e Vjetër, ndërsa ajo aktuale i skadon në verën e vitit 2022.
Por, Dybala ka zbuluar se atij do t’i pëlqente shumë të luante te Barcelona në të ardhmen.
“E vërteta është që Barcelona është një skuadër e madhe dhe me Messin ata bëhen edhe më të mëdhenj”, ka thënë ai.
“Do më pëlqente të luaja atje, por Juventusi është po ashtu një klub i mrekullueshëm, i madh, me histori, aty ku janë lojtarë të shkëlqyeshëm”.
“Këtu ka shumë kualitet dhe të luash me lojtarë si Gianluigi Buffon e Cristiano Ronaldo, klubi bëhet edhe më i madh”, ka shtuar më tej Dybala. /Telegrafi/