NATO mbështet Ukrainën, e këtë e ka konfirmuar kreu i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg, pas një bisede telefonike të realizuar me kreun e diplomacisë ukrainase Dmitry Kuleba, në ditën kur Rusia kreu sulmet e përmasave te gjera në infrastrukturën civile të ukrainasve.
“NATO do të vazhdojë të mbështesë popullin trim të Ukrainës në luftën kundër agresionit që po e zhvillon Kremlini”, ka shkruar Stoltenberg, transmeton Telegrafi.
Kreu i Aleancës më të madhe ushtarake, ka dënuar “sulmet e tmerrshme joselektive mbi infrastrukturën civile në Ukrainë”.
Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, do të takohen të enjten në Bruksel, ku në rend dite do të diskutojnë për mbështetjen e dhënë për Ukrainën.
Në anën tjetër, ushtria ukrainase ka njoftuar sot se Rusia ka shkrepur 75 raketa në drejtim të Ukrainës, kurse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se objektivi kryesor i sulmeve ishte infrastruktura energjetike në këtë vend dhe më pas edhe civilët.
Kryeministri ukrainas Denis Shmigal, ka deklaruar se 11 objekte infrastrukturore në tetë rajone dhe në kryeqytet – Kiev, janë dëmtuar nga raketat ruse.
E presidenti Zelensky ka theksuar se Rusia ka sinkronizuar sulmet e saj në Ukrainë, me qëllim që të shkaktojë sa më shumë humbje në civilë, e gjithashtu ka goditur edhe infrastrukturën energjetike.
“Ata duan panik dhe kaos, duan të shkatërrojnë rrjetin tonë energjetike. Objekti i tyre janë civilët. Koha dhe objektivat janë përzgjedhur në atë formë që të shkaktojnë sa më shumë dëme”, shtoi Zelensky. /Telegrafi/