Telegrafi

Pas operacionit antikontrabandë në veri, policia interviston edhe katër të dyshuar – tre dërgohen në mbajtje

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka intervistuar edhe katër nga të dyshuarit për kontrabandë në veri të Kosovës, që kanë qenë në kërkim policor.

Në njoftimin e Policisë thuhet se pas realizimit të operacionit policor në luftën kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës me mallra, të datës 13.10.2021 në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës Jugu dhe Mitrovicës Veri,  ku ishin arrestuar tetë persona të dyshuar dhe shpallur në kërkim dhjetë persona tjerë të dyshuar,  policia ka vazhduar hetimet intensive drejtë arrestimit dhe sjelljes para organeve të drejtësisë të të dyshuarve që ishin në kërkim.

“Pas veprimeve operacionale dhe vendosjes në kërkim të personave të dyshuar, sot me 15.10.2021 hetuesit policorë kanë intervistuar edhe katër nga të dyshuarit që kanë qenë në kërkim policorë”, thuhet në njoftim të Policisë, transmeton Telegrafi.

“Personat e intervistuar nga zyrtarët policorë janë: V.H., (1978), M.H., (1981), M.V., (1994) dhe A.N., (1982), të cilët pas intervistimit, me urdhër të prokurorit tre të dyshuar  janë dërguar në mbajte, përderisa  njëri nga të dyshuarit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special sot u ka caktuar 30 ditë paraburgim pesë të dyshuarve për “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal të Organizuar”, “Kontrabandim me mallra”, të arrestuar pas aksionit të Policisë në veri.

Në njoftim thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në çështjen penale kundër të pandehurve I.Z., R.K., A.K., A.D., dhe M.D.,  për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose Organizimi i grupit Kriminal të Organizuar”, “Kontrabandim me mallra” dhe “Shmangie nga tatimi” si dhe veprës penale “Tregtia e ndaluar”.

Gjuajtje të drejtpërdrejta me armë zjarri, hedhje e bombolave të gazit, granata luftarake janë përdorur të mërkurën nga grupe kriminale të organizuar në veri të Kosovës për të sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës e Doganës, dhe gazetarët me qëllim që t’i pengojnë në kryerjen e detyrës së tyre.

Tensione pati pas një operacioni të Policisë së Kosovës e Doganës kundër kontrabandës, që u realizua në katër rajone: Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veriore.

Por, në Mitrovicën veriore situata u tensionua shumë, duke lënë kështu 10 policë të lënduar.

Në lidhje me këtë ishin shoqëruar në polici tetë të dyshuar meshkuj të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit pesë meshkuj kosovarë janë dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/