Site icon Telegrafi

Pas largimit të trupave izraelite, palestinezët kthehen në Khan Younis – pamje që tregojnë shkatërrimin atje

Pasi trupat izraelite u larguan nga qyteti jugor i shkatërruar kryesisht i Khan Younis, një numër i madh palestinezësh të zhvendosur shkuan atje, duke shpresuar të ktheheshin në shtëpitë e tyre nga strehimoret e përkohshme në Rafah aty pranë.

Muhammad Yunis, 51 vjeç, një palestinez në Gazën veriore, nuk pa gjë tjetër veçse shkatërrim, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

“A nuk mjaftojnë bombardimet, vdekja dhe shkatërrimi? Ka ende trupa nën rrënoja. Ne mund të nuhasim erën e keqe”.

Lexo po ashtu Izraeli tregon arsyen e tërheqjes së trupave nga Gaza jugore

Të paktën 33,175 njerëz janë vrarë në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga fillimi i sulmit të Izraelit në tetor.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se rreth 7,000 njerëz të zhdukur besohet se janë varrosur nën mbeturinat e ndërtesave të bombarduara.

Maha Thaer, një nënë e katër fëmijëve që po kthehej në Khan Younis, tha se do të kthehej në apartamentin e saj të dëmtuar rëndë “edhe pse nuk është i përshtatshëm për të jetuar, por është më mirë se çadra”.

Lexo po ashtu Pse Izraeli tërhoqi trupat nga Gaza jugore - dhe çfarë mund të ndodhë tani?

Zona të gjera të Gazës janë kthyer në një “shkretëtirë” nga rrënojat me dëme të vlerësuara në 18.5 miliardë dollarë në infrastrukturën kritike, kryesisht banesa, thotë një raport i Bankës Botërore.

Ndryshe, Izraeli ka tërhequr pothuajse të gjitha trupat e tij nga Gaza jugore.

Lëvizja ka ndezur pikëpyetje mbi atë që Izraeli po planifikon të bëjë më pas.

Por ministri i Mbrojtjes i vendit, Yoav Gallant, ka thënë se trupat u tërhoqën për t’u përgatitur për operacionet e ardhshme – përfshirë në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Bëhet fjalë për Rafah, vendin që strehon rreth 1.4 milion njerëz – më shumë se gjysmën e popullsisë së Gazës.

Perspektiva e një ofensive atje ka ngritur alarmin global, duke përfshirë edhe SHBA-në, e cila ka kërkuar të shohë një plan të besueshëm për të mbrojtur civilët. /Telegrafi/

Exit mobile version