Site icon Telegrafi

Pas kërkesës së Borrellit për sanksione ndaj Izraelit , ministri izraelit me deklarata të forta: Do të vijë një ditë në të cilën Evropa do të turpërohet për Borrellin

Ministri izraelit i Financave ka akuzuar shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, për mbështetjen e Hamasit dhe “boshtit të së keqes” iraniane, duke pretenduar se ata “kërcënojnë shoqërinë perëndimore në tërësi”.

“Do të vijë një ditë në të cilën Evropa do të turpërohet për Borrellin dhe standardin e dyfishtë që ai dhe shumë nga miqtë e tij kanë aplikuar në Izrael, ndërsa janë në anën e terroristëve aktualë”, shkroi ministri Bezalel Smotrich në X.

Ky koment i Smotrich vjen pasi Borrell bëri thirrje për më shumë sanksione ndaj zyrtarëve “ekstremistë” izraelitë si shkak i kërkesës së tyre për të ndaluar dërgimin e ndihmave në enklavë dhe për të mos arritur një marrëveshje armëpushimi, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Borrell dënon deklaratat izraelite për shkurtimin e ndihmës në Gazë

Duke shkruar në X, Borrell tha se sanksionet duhet të jenë në axhendën e BE-së dhe i kërkoi qeverisë izraelite të distancohet nga komentet dhe “të angazhohet në negociatata e ndërmjetësuara nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, për një armëpushim të menjëhershëm”.

Ndërkohë, Ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, tha se transferimi i ndihmave humanitare dhe karburantit në brez duhet të ndalet “derisa të gjitha pengjet të kthehen në shtëpi”.

Në të njëjtën kohë, Ben-Gvir bëri thirrje për pushtimin e përhershëm të Gazës. /Telegrafi/

Exit mobile version