Site icon Telegrafi

Pas Erdoganit pranon edhe Orban, Hungaria mbështet pranimin e Suedisë në NATO

Peter Szijarto, Ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, tha sot se Hungaria mbështet pranimin e Suedisë në NATO.

Bloomberg raporton se Szijarto deklaroi se mbetet vetëm një “çështje teknike” e përfundimit të procesit të gjatë të ratifikimit në parlamentin në Budapest, transmeton Telegrafi.

Agjencia amerikane kujton se kreu i diplomacisë në qeverinë e kryeministrit hungarez Viktor Orbán, tha javën e kaluar se Hungaria do të mbështesë hyrjen e Suedisë në NATO sapo Turqia, e cila është anëtarja tjetër e Aleancës që bllokoi aplikimin e Suedisë për anëtarësim, jep indikacione se është gati të bëjë të njëjtën gjë.

Lexo po ashtu ‘Një moment historik’: Reagimet e para pasi Erdogan i Turqisë pranoi të mbështesë anëtarësimin e Suedisë në NATO

Bloomberg thekson se Turqia tani e ka dhënë atë sinjal, por gjithashtu shton se Szijarto nuk e ka përmendur shprehimisht këtë vend në postimin në Facebook që ka publikuar para se të nisej për në samitin e NATO-s në kryeqytetin lituanez Vilnius.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, njoftoi mbrëmë se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka pranuar që Suedia të anëtarësohet në NATO.

Ai u takua më parë me Erdoganin dhe kryeministrin suedez Ulf Kristerson, për të diskutuar shqetësimet e Turqisë në lidhje me lejimin e Suedisë për t’u bashkuar me aleancën. /Telegrafi/

 

Exit mobile version