Arbër Zeneli është njëri nga futbollistët më të mirë të Kosovës dhe sulmuesi anësor po kalonte nëpër një formë të mrekullueshme.
Mirëpo, ndeshja ndaj Malit të Zi nuk ka qenë më e mira për të, pasi nuk ka qenë fatsjellëse për yllin e Stade de Reims.
Reprezentuesi kosovar në minutën e 38-të u lëndua rëndë pasi ka këputur ligamentet e gjurit të këmbës së djathtë. 24-vjeçari e lëshoi fushën me lot në sy pasi e kuptoi se bëhej fjalë për një lëndim të rëndë të pësuar.
Me të përfunduar ndeshja, Zeneli është nisur në drejtim të Prishtinës për t’i bërë kontrollet e detajuara mjekësore. E pas kontrolleve mjekësore, Telegrafi ka mësuar se sulmuesi ynë do të mbetet jashtë fushave për nëntë muaj.
Kësisoj eliminatoret për Kampionatin Evropian, ‘Euro 2020’, tanimë mund të quhen të mbyllura për Arbërin, i cili pritet të rikthehet në fushë në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Ky është lëndimi i dytë i rëndë për futbollistët e Kosovës, pasi javë më parë të njëjtin lëndim e kishte pësuar edhe Hekuran Kryeziu me fanellën e Zurichut. /Telegrafi/