Site icon Telegrafi

Pas dorëheqjes së Johnsonit, Zelensky i bindur se politikat e Britanisë karshi Ukrainës nuk do të ndryshojnë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka quajtur kryeministrin britanik Boris Johnson, “mik të vërtetë të Ukrainës”, duke shtuar se është i bindur se politika britanike për Ukrainën nuk do të ndryshojë pavarësisht dorëheqjes së sotme.

Ukraina kishte forcuar marrëdhëniet me kryeministrin britanik, e këtë më së miri e dëshmon ndihma e madhe ushtarake që ky vend e dërgoi në Kiev, për t’i ndihmuar ukrainasit të mbrohen nga agresioni rus, transmeton Telegrafi.

Gjatë një interviste dhënë për CNN, Zelensky tha se do të bisedojë sërish me Johnsonin për t’u informuar më shumë për dorëheqjen e tij.

Lexo po ashtu Boris Johnson jep dorëheqje nga pozita e liderit të partisë

Se këta dy liderë ishin bërë miq të ngushtë, e dëshmon edhe vizita e Johnsonit në Kiev, ku pavarësisht luftimeve të ashpra që po zhvilloheshin mes ukrainasve dhe rusëve – ai nuk hezitoi të shëtitë rrugëve të kryeqytetit ukrainas.

Në çdo samit të mbajtur, ishte Johnson njëri prej zërave më të fuqishëm që mbrojti ukrainasit – duke ua bërë të qartë se do të kenë mbështetjen e qeverisë së tij derisa të jetë e nevojshme. /Telegrafi/

 

Exit mobile version