Site icon Telegrafi

Pas deklaratës së Kurtit, kompania vendore rrit pagën minimale në 350 euro

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka thënë se është absurde që paga mesatare në sektorin publik të jetë mbi 500 euro, ndërsa në atë privat të ngelet në 350 euro.

Shefi i ekzekutivit në punëtorinë të cilën e ka organizuar Oda e Afarizmit të Kosovës, tha se ata të cilët duan të punojnë më shumë duhet ta kenë mundësinë te sektori privat.

“Njerëzit tanë, prodhuesit tanë, biznesmenët tanë janë po aq të vlefshëm sa dhe ata të shteteve me të cilët zhvillojmë tashmë ose do të zhvillojmë marrëdhënie më vonë. Ne duhet ta ndihmojmë biznesin vendës, t’iu ndihmojmë juve ndërmarrës, në mënyrën që të rritet punësimi, të rriten kompanitë, të rritet prodhimi, të rritet zhvillimi, e të rritet edhe paga mesatare në sektorin privat. Është absurde që paga mesatare në sektorin publik është mbi 500 euro me një rrite prej mbi 100 euro në pesë vjetët e fundit, ndërkohë që kjo rritje nuk është as 15 euro në sektorin privat ku ju e dini që pagat mesatare ngelen diku rreth 350 euro”, kishte thënë Kurti, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Kurti: Është absurde që paga mesatare në sektorin publik të jetë mbi 500 euro, ndërsa në atë privat të ngelet në 350 euro

Por pas deklaratës së tij, ka ardhur reagimi nga kompania vendore “Meka Halal Food”, e cila ka njoftuar se nga sot rroga minimale do të jetë 350 euro.

“Unë kam vendos që t’i përgjigjem thirrjes së kryeministrit Kurti që paga minimale të jetë 350 euro neto në kompaninë time, pra sigurimi shëndetësor, sigurimi i pensioneve dhe dreka e punëtorëve do të mbulohet nga kompania jonë, duke respektuar orarin e punës 8 orë në ditë 40 orë në javë dhe 18 ditë pushim vjetor! Ky vendim hyn në fuqi menjëherë!”, ka njoftuar pronari i kësaj kompanie, Burim Piraj.

E njëjta kompani, një vit më parë kishe marr vendim që t’ua jep pagën e 14-të punëtorëve. /Telegrafi/

Exit mobile version