Një ditë pas deklaratës së presidentit francez Emmanuel Macron i cili nxiti debat të ashpër kur tha se dërgimi i trupave perëndimore në terren për ta ndihmuar Kievin është një mundësi, ka folur edhe kryeministrja estoneze Kaja Kallas e cila tha se “gjithçka” është në tavolinë me qëllim që të ndihmohet Ukraina ta mund Putinin.
Siç shkruan Politico, fjalët e Macronit kishin nxitur debat edhe mes qeverive të aleancës së NATO-s, liderët e të cilave këmbëngulën se nuk do të ketë dërgim të trupave në Ukrainë, transmeton Telegrafi.
Por Kallas tha se liderët duhet të diskutojnë të gjitha mundësitë prapa dyerve të mbyllura, përfshirë atë se çfarë mund të bëhet më shumë për të asistuar Ukrainën.
“Mendoj se është gjithashtu një sinjal që po i dërgojmë Rusisë, se nuk i kemi hedhur poshtë mundësitë e ndryshme sepse të gjitha shtetet e kanë kuptuar se duhet të bëjmë gjithçka që Ukraina të fitojë dhe Rusia të humb luftën”, tha Kallas për Politico gjatë një podcasti.
Derisa shumica e vendeve të BE-së kanë hedhur poshtë mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë, përfshirë lojtarët kryesorë Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Britania e Madhe – ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis tha të mërkurën se është mirënjohës për debatin që Macron e kishte iniciuar, duke shtuar se “asgjë nuk mund të hiqet nga tavolina, asnjë opsion nuk mund të përjashtohet”. /Telegrafi/