Telegrafi

Partia kurde përkrah Kilicdaroglun: Jemi të vendosur ta largojmë nga pushteti Erdoganin

Drejtuesit e Partisë Demokratike Popullore (HDP) pro-kurde njoftuan se do të mbështesin kandidatin e opozitës, Kemal Kilicdaroglu në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

HDP dhe Partia e Majtë e Gjelbër (YSP) mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp dhe thanë se Kiliçdaroglu ka ende mbështetjen e tyre dhe theksuan se janë të vendosur për të rrëzuar presidentin aktual nga pushteti.

Lexo po ashtu Drama elektorale në Turqi: Ogan me Erdoganin, partia që e mbështeti atë i jep përkrahje Kilicdaroglut

“Jemi përballë një strukture që gjatë 21 viteve ka ndërtuar gradualisht një regjim të varur nga një njeri. Kjo është arsyeja pse zgjedhjet e 28 majit janë një referendum midis atyre që mbështesin ndryshimet demokratike në sistem dhe atyre që duan të ruajnë këtë sistem”, tha nënkryetarja e HDP-së, Pervin Buldan.

“Stagnimi i problemit kurd nuk është në interesin e kurdëve. Është e gabuar dhe çnjerëzore t’i kthesh emigrantët apo refugjatët në interesa politike. Asnjë kalkulim dhe interes politik nuk mund të jetë më i vlefshëm se e ardhmja e të varfërve, grave dhe të rinjve”, theksoi ajo.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Turqi do të mbahet të dielën më 28 maj. Presidenti aktual Recep Tayyip Erdogan u mbështet nga kandidati i raundit të parë Sinan Ogan, ndërsa Kilicdaroglu, përveç partisë kurde, mori mbështetje edhe nga partia Zafer, e cila në raundin e parë kishte përkrahur Oganin.

Lexo po ashtu Konfirmoi mbështetjen për Erdoganin në balotazhin për president të Turqisë, Sinan Ogan tregon 'katër prioritetet që duhen adresuar urgjentisht'

Në raundin e parë të zgjedhjeve, Erdogan mori mbështetjen e 49,52 për qind të qytetarëve, ndërsa Kilicdaroglu 44,88 për qind të votave. /Telegrafi/