Parlamenti rus po shqyrton mundësinë e ndalimit të shkëmbimit të ushtarëve të regjimentit ukrainas Azov, të cilët, u dorëzuan para forcave ruse në Ukrainë.
Në mëngjes, anëtarët e Regjimentit Azov u evakuuan nga uzina e çelikut Azovstal dhe u dërguan në territoret nën kontrollin e autoriteteve ruse.
Pala ruse i cilëson ata si “nazistë”, ndonëse anëtarët e regjimentit kanë theksuar se nuk mbështesin ideologjitë raciste, fashiste apo neonaziste dhe se orientimi i tyre politik është larg nacionalizmit radikal që kanë ndjekur më parë.
Vyacheslav Volodin, presidenti i Dumës Shtetërore Ruse, tha se anëtarët e regjimentit të Azov janë “kriminelë nazistë”, të cilët nuk duhet të përfshihen në shkëmbimin e të burgosurve.
“Ata janë kriminelë lufte dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për t’i sjellë ata para drejtësisë”, tha Volodin.
Russian parliament to consider ban on exchanging Ukrainian Azov prisoners https://t.co/8OuuSbI494 pic.twitter.com/0NUUHnHmzq
— Reuters (@Reuters) May 17, 2022
Reuters raporton se Kryetari i Dumës ka thënë se i ka kërkuar Komisionit për Mbrojtjen dhe Sigurinë që të përgatisë udhëzime se si të veprohet për këtë çështje.
Më 26 maj, Gjykata e Lartë do të shqyrtojë ankesën për shpalljen e batalionit Azov si organizatë terroriste.
Autoritetet ruse deklarojnë se mbi 250 ushtarë nga uzina e çelikut Azovstal janë dorëzuar dhe se 51 prej tyre kanë nevojë për ndihmë urgjente mjekësore për shkak të lëndimeve të rënda.
Ukraina tha se do të organizojë një shkëmbim ushtarësh me Rusinë për të kthyer anëtarët e Regjimentit Azov në territoret që kontrollohen prej autoriteteve ukrainase. /Telegrafi/