Hungaria ka një reputacion ‘rebeli’ në Bashkimin Evropian dhe nëse do ta konfirmojë këtë reputacion edhe një herë, do ta tregojë debati në parlamentin hungarez për pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.
Vetëm Hungaria dhe Turqia nuk i kanë ratifikuar ende protokollet për anëtarësimin e këtyre dy vendeve në NATO, më shumë se tetë muaj pasi liderët e Aleancës vendosën t’i pranojnë ato si anëtarë në samitin e Madridit, transmeton Telegrafi.
Dhe ndërsa anëtarët e tjerë të NATO-s janë më të shqetësuar për mundësinë që Turqia të bllokojë pranimin e dy vendeve – presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po bllokon Suedinë, duke pretenduar se vendi mbron militantët kurdë – qeveria e Viktor Orban po vonon gjithashtu procedurën parlamentare.
Ratifikimi përfundimisht do të fillojë në Hungari sot, kur do të fillojë debati në parlament, ndërsa votimi për vetë çështjen pritet në gjysmën e dytë të marsit, shkruan Politico. Por tashmë ka indikacione se nuk do të shkojë mirë.
Mate Kocsis, kryetar i grupit parlamentar të Fidesz të Orbanit, tha javën e kaluar se kishte një “diskutim serioz” rreth anëtarësimit të dy vendeve në Organizatën e Traktatit të Aleancës.
Hungaria planifikon të dërgojë një delegacion në Suedi dhe Finlandë për të diskutuar “mosmarrëveshjet politike” që kanë lindur. Një këndvështrim të tillë e shprehu edhe vetë Orban.
“Edhe pse ne mbështesim pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, së pari duhet të kemi një diskutim serioz”, tha ai në një intervistë.
Duke kujtuar se Finlanda dhe Suedia e kanë kritikuar më parë Hungarinë për sundimin e ligjit, ai tha se disa në partinë e tij pyesin veten nëse është e mençur të pranohen vende që “përhapin gënjeshtra të hapura për Hungarinë, për sundimin e ligjit në Hungari, për demokracinë, për atë sesi jetohet në këtë vend”.