Site icon Telegrafi

Pandemia nuk lejoi zgjedhjet në Kosovë, dy komuna janë pa kryetarë

Dy komuna në Kosovë kanë mbetur pa kryetarë dhe aktualisht po shqyrtohet mundësia e organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Në Komunën e Podujevës zgjedhjet ishin shpallur pas dorëheqjes së Agim Veliut nga pozita e kryetarit të këtij qyteti, pasi ishte emëruar ministër i Brendshëm në qeverinë e kaluar të udhëhequr nga tashmë ish-kryeministri, Albin Kurti, dhe që prej atëhere Podujeva është pa kryetar komune.

Pa kryetarë nga e mërkura ka mbetur edhe Mitrovica e Veriut, pasi Goran Rakiq nga Lista Serbe është emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Pushtetit Lokal në qeverinë e re të Avdullah Hotit.

Zgjedhjet në Komunën e Podujevës ishin paraparë të mbahen më 15 mars, por për shkak të situatës në vend me përhapjen e koronavirusit të ri, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, me 14 mars pati vendosur t’i shtyjë ato.

Sipas Kushtetutës se Republikës se Kosovës, presidenti cakton dhe shpall datën zgjedhjeve, por deri më tash, nuk është marrë asnjë vendim zyrtar për asnjërën nga këto dy komuna.

“Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në mënyrë të vazhdueshme po e përcjellë ecurinë e gjendjes së krijuar me pandeminë dhe në konsultim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet shëndetësore, varësisht prej rrethanave, do ta marrë vendimin e duhur”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga zyra e presidentit, dërguar Radios Evropa e Lirë.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ndërkaq thonë se janë të gatshëm t’i organizojnë zgjedhjet kurdo që shpallen.

A ishte pandemia arsye për shmangien e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare?
Mbajtja e mundshme e këtyre zgjedhjeve ka hapur debatin nëse pandemia ishte arsye e vërtetë për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme, pas rënies së Qeverisë Kurti.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka dhënë një intervistë për Radion Evropa e Lirë, nga e cila po shkëpusim përgjigjen e tij, mbi pandeminë dhe pamundësisë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme.

Albin Kurti ka thënë se zgjedhjeve u janë frikësuar partitë politike, sepse shumica e kanë ditur se “populli do t’i varros”, duke iu refereruar rezultatit të mundshëm të zgjedhjeve.

“Dhe këta nuk e dojnë gozhdën në arkivol që quhet zgjedhje demokratike. Këta njerëz janë problemi, e zgjedhjet janë zgjidhje”, ka thënë Kurti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, të cilën të plotë mund ta lexoni këtu.

Zgjedhje të parakohshme parlamentare pati kërkuar edhe Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, por ato janë refuzuar fuqishëm nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe subjektet tjera më të vogla parlamentare, duke përmendur pandeminë si arsye kryesore për mosmbajtjen e tyre.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se sa i përket zgjedhjeve në Podujevë, kurdo që vendos KQZ-ja dhe institucionet shtetërore, LDK-ja është e gatshme.

Haziri megjithatë thotë se nuk ka qenë vetëm pandemia arsye e kundërshtimit të mbajtjes se zgjedhjeve të përgjithshme.

“Nuk është vetëm pandemia arsye, pse ne kemi thënë se nuk është koha për zgjedhje, por është procesi zgjedhor, i cili sapo kishte përfunduar. Vetëm katër muaj më herët ishte formuar formuar qeveria. Dhe Kosova nuk e ka komoditetin që për shkak të jostabilitetit dhe egove politike të organizojë zgjedhje çdo gjashtë muaj, për shkak të kostos buxhetore edhe për shkak të shumë rrethanave tjera”, thotë zoti Haziri.

Qeveria Kurti u rrëzua në muajin mars pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi në kuvend, të iniciuar nga partneri i koalicionit qeverisës, LDK.

Për të shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të reja në kohë pandemie, presidenti i Republikës pati dekretuar Avdullah Hotin, nga Lidhja Demokratike e Kosovës si mandatar për formimin e qeverisë së re.

Dekreti i presidentit përfundoi në Gjykatë Kushtetuese, e cila në fund i tha dritën jeshile formimit të qeverisë së re, e cila u votua të mërkurën, më 3 qershor.

Pandemia ka bërë që edhe disa vende të Ballkanit Perëndimor të shtyjnë mbajtjen e tyre, posaçërisht në kohën kur numri i rasteve me koronavirus ishte në rritje. Në mesin e tyre është edhe Maqedonia e Veriut, e cila ende nuk e ka vendosur datën për mbajtjen e tyre, dhe Serbia, e cila pritet të mbajë zgjedhjet lokale, krahinore dhe parlamentare më 21 qershor./rel/

Exit mobile version