Telegrafi

Pamje që Putini nuk do të dëshironte t’i shihte bota, ushtari rus mbështjell këmbët me “peshqir” para se të mbathë çizmet

Derisa presidenti rus Vladimir Putin para ekraneve televizive ka dëshirë të prezantojë ushtrinë e vendit të tij si superfuqi botërore, faktet nga terreni e thonë krejt të kundërtën.

Me fillimin e luftës në Ukrainë, Rusia ka treguar fytyrën e saj të vërtetë – e jo siç Putin e proklamonte gjithmonë si të fuqishme, të përgatitur dhe mirë të trajnuar, transmeton Telegrafi.

Fillimisht armët e vjetra i “tradhtuan” ushtarët rusë në shumë raste gjatë fushëbetejave në Ukrainë, ku nuk u shkrepën dhe pushkët automatike kallashnikov ishin të mbuluara nga ndryshku.

Sikur kjo të mos i mjaftonte, mobilizimi i pjesshëm shfaqi të metat e tjera të ushtrisë së Putinit, ku shumë prej rezervistëve nuk kishin përvojë ushtarake dhe shumica prej tyre ishin me flokë të thinjura dhe rrudha në fytyrë.

Kur bëhet fjalë për akomodim dhe medikamente, shumë video të publikuara në internet, shfaqnin dhomat e tmerrshme ku rezervistët rusë flinin pa shtretër, dyshekë e as batanije e çarçafë.

Në to kishte myk dhe mungonte ndriçimi, higjiena nuk ishte në nivel kurse brenda një dhome flinin mbi 20 persona – një dëshmi tjetër që Putini do të dëshironte që ato pamje të mos shpërndahen nëpër botë.

E rasti më i fundit është ai i një rezervisti rus, i cili shihet duke mbështjellë këmbët me një lloj fashe të ngjashme me shumë me peshqirë, dhe më pas mbathte çizmen që as përafërsisht nuk i ngjan një çizme të ushtarit siç jemi mësuar t’i shohim nga vendet anëtare të NATO-s dhe ushtrisë më të fuqishme në botë – asaj amerikane. /Telegrafi/