Site icon Telegrafi

Palmer dhe Lajçak pas takimeve me Osmanin dhe Kurtin sot mbajnë konferencë për media

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer  dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak sot do të mbajnë një konferencë për media.

Konferenca mbahet në orën 10:40 në Zyrat e BE-së.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë i ka quajtur konstruktive takimet e zëvendësndihmës Sekretarit të Shtetit Matthew Palmer me drejtuesit e shtetit të Kosovës dhe emisarin special evropian për dialogun Miroslav Lajçak.

“Dita 1: Zëvendësndihmës Sekretari Matthew Palmer zhvilloi takime konstruktive me Përfaqësuesin Special të BE-së Miroslav Lajcak, presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendës kryeministrin Besnik Bislimi dhe ministren e Punëve të Jashtme Donika Gervalla-Schwarz”, shkruan Ambasada amerikane në Facebook.

Lajçak dhe Palmer ndodhen për vizitë disaditore në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se procesi i dialogut në Bruksel duhet të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo gjatë takimit me zëvendës-ndihmës sekretarin e Shtetit amerikan, Matthew Palmer dhe emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka ripërsëritur qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi sot se bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e ri të dialogut është i mirëseardhur dhe i domosdoshëm.

Ai gjatë një takimi me emisarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer, ka thënë se dialogu duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithmbarshme.

Kurti e vlerësoi të rëndësishëm takimin dhe kohën kur po ndodh ai – në prag të takimit në Bruksel, i paralajmëruar në mesin e qershorit, pas takimeve me liderët e opozitës dhe para diskutimit në Kuvend për procesin e kaluar të dialogut, marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe nivelin e zbatimit të tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version