Mario Balotelli ia ka falur Giorgio Chiellinit për kritikat, ndërkohë që ylli i Juventusit ia ka dërguar një kopje të librit të tij.
Bashkëlojtarët e dikurshëm te kombëtarja e Italisë patën një zënkë publike kur mbrojtësi i Zonjës së Vjetër e nxori në shitje një libër autobiografik, në të cilin e konsideronte sulmuesin e Brescias si person negativ, i cili nuk u kishte ndihmuar bashkëlojtarëve gjatë Kupës së Konfederatave (2013).
Mirëpo, dy futbollistët janë pajtuar gjatë një bashkëbisedimi në emisionin televiziv, Le Iene, ku fillimisht ishte nxjerrë një fanellë të nënshkruar nga SuperMario me mbishkrimin: “Edhe pse papritur ma ngule thikën pas shpine, unë të dua ende”.
Gjatë bashkëbisedimit të drejtpërdrejtë, Balotelli iu drejtua me fjalët: “Është hera e parë në jetën time që t’i ke gabuar dhe unë jo!”.
“Unë ta kam pasur lakmi! Sepse në jetë duhet të gabosh për t’u përmirësuar”, ia ktheu Chiellini.
“Atëherë, unë jam i përsosur. Por, njerëz, asnjëherë nuk ka pasur një luftë! Jua kam thënë gjatë gjithë kohës”, ka shtuar më tej sulmuesi.
Kapiteni i Juventusi pranoi se ekzistojnë papajtueshmëri, por deklaroi se kishte planifikuar t’i tregonte Balotellit për përmbajtjen e librit, në mënyrë që të përjashtonte çfarëdo negativiteti.
Në pyetjen e Le Iene se çfarë kishte ndodhur saktësisht në vitin 2013, Balotelli deklaroi: “Jo, pritni, më kujtohet tash! Isha i nervozuar, sepse po humbnim nga Brazili dhe Gigi (Buffon) më tha: ‘Ne nuk jemi Brazili, e di këtë’. A ishte kështu?”.
“Në rregull, nuk është asgjë serioze. Reagova kryesisht, sepse të them të drejtën, nuk e prisja nga Giorgio (Chiellini) ta thoshte ashtu, unë nuk jam person negativ. Jam dikush që gjithmonë bën shaka, reagova sepse të respektoj, sepse po të mos më interesonte për ty, nuk do të kisha reaguar”, ka sqaruar SuperMario.
Në vazhdim, Chiellini ka thënë se të gjithë mësojnë me moshën dhe se duhet ta shkruajë një faqe tjetër në librin e tij për ta sqaruar situatën, por së paku t’ia nisë një kopje të librit Balotellit me një dedikim të veçantë: “Për Marion, mësova shumë duke bërë gabime dhe do të vazhdoj kështu çdo ditë. Të uroj çdo të mirë dhe shpresoj të takohemi së shpejti në fushë”.
Mario ia ktheu me shaka duke i kërkuar fillimisht që t’i griste faqet ku fliste për të. Ndërsa kur u pyet se a do ta shkruajë një libër të vetin, u përgjigj: “Do të ishte shumë i gjatë!”. /Telegrafi/