Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, një ditë më parë ka treguar qëndrimin e SHBA-së për draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të prezantuar së fundit nga Bashkimi Evropian.
Hovenier në një deklaratë dhënë për mediat ritheksoi se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Ai tha se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
“Siç e dini, draft-statuti është prezantuar nga BE-ja, por ShBA-ja ka qenë e pranishme dhe pjesë e saj. Bashkimi Evropian – dhe Shtetet e Bashkuara – konsiderojnë se është hartuar në mënyrë të tillë që respekton plotësisht kushtetutshmërinë e Kosovës.
Më lejoni t’ua përkujtoj qëndrimin e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës se çka do të duhej të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe. E kemi thënë shumë herë: duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e tanishme të Kosovës.
Nuk do të duhej të ketë asnjë ndryshim kushtetues. Duhet të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv. Nuk duhet të jetë nivel tjetër i qeverisjes. Duhet të jetë në përputhje me pikëpamjet që i kemi shprehur në artikullin e botuar në janar nga këshilltari i Departamentit të Shtetit Derek Chollet dhe i dërguari i posaçëm dhe zëvendës-ndihmësi i Sekretarit, Gabriel Escobar.
Ne besojmë se ky draft-statut që i është prezantuar Qeverisë së Kosovës i plotëson gjitha këto kritere. I përmbush ato kritere. Ne besojmë se është – dhe është hartuar në mënyrë të tillë – që të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Por, në të vërtetë është vetëm një organ që mund të vendosë nëse draft-statuti është në përputhje me Kushtetutën apo jo. E kjo është Gjykata Kushtetuese dhe siç tha edhe kryeministri Kurti në Kuvend të premten, një nga dispozitat e këtij draft-statuti është se do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese, ashtu që ajo të shqyrtojë atë dhe të marrë vendim para se të hyjë në fuqi”, tha ai.
Ai po ashtu tha se “…Prandaj, mendoj se shumë prej këtyre pyetjeve, komenteve e pothuajse histerisë për kushtetutshmërinë e draft-statutit na duken të jenë pavend sepse është bërë punë e kujdesshme në hartimin e këtij statuti dhe ka dispozita që sigurojnë se në Kosovë është një trup që ka aftësinë dhe autoritetin për të vendosur për kushtetutshmërinë e tij, Gjykata Kushtetuese, do ta ketë mundësinë që ta bëjë këtë para se të hyjë në fuqi”.
I pyetur pse drafti nuk është bërë publik, ai ka thënë se nuk ka asgjë sekrete, mirëpo këto janë vetëm çështje diplomatike në të mirë të procesit.
“Më lejoni t’ia filloj me pjesën e fundit të pyetjes lidhur me fshehtësinë e ashtuquajtur. Nuk ka asgjë të fshehtë këtu, por negociatat diplomatike dhe angazhimet e ndjeshme ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare dhe qeverive shpesh bëhen me kusht të diskrecionit sepse kushtet e diskrecionit mundësojnë për të arritur mirëkuptim të përbashkët dhe avancim të çështjeve, qoftë nëse bëhet fjala për marrëveshjet në dialog, marrëveshjet në Rambuje, marrëveshjet sipas Ahtisaarit apo për shumë gjëra tjera.
Ka çaste kur gjërat bëhen publike e ka çaste kur ka shkëmbim të vazhdueshëm konfidencial diplomatik përderisa punohet në përafrimin e dallimeve. Nuk ma merr mendja që dikush prej nesh kërkon falje për shkak të bisedimeve konfidenciale apo diskrete me qeverinë e Kosovës për një çështje kaq të ndjeshme. Në një kohë të përshtatshme publiku do ta ketë mundësinë ta vlerësojë draft-statutin. Ajo kohë – ashtu siç do të duhej të jetë – do të përcaktohet bashkërisht nga qeveria e Kosovës dhe Miroslav Lajçaku”, tha ai.
“Sa i përket vetë afatit kohor, nëse e lexoni deklaratën e kancelarit të Gjermanisë, presidentit të Francës dhe kryeministres së Italisë, e më lejoni të ndalem e të them se është e jashtëzakonshme që këta liderë kaq të lartë evropianë po përfshihen drejtpërdrejt në këtë proces për ta ndihmuar Kosovën të ecë përpara në rrugën evropiane, euroatlantike e të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që është për të mirën e popujve të dy vendeve, por veçanërisht të popullit të Kosovës.
Ata përdorin fjalët si urgjent, sa më shpejtë të jetë e mundur e gjëra të tilla. Ka urgjencë, ka dëshirë të shihet që çështja të ecë shpejt dhe kjo është pjesë e bisedave tona me qeverinë tash. Nuk ka arsye përse qeveria e Kosovës të mos ecë përpara me këtë draft-statut.
Kryeministri shprehu gatishmërinë e tij për ta pranuar në tërësi vetëm disa javë më parë. Gjithashtu, jemi duke punuar për të parë të bëhet si element i strategjisë sonë më të gjerë. Nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e as nuk mund të jetë. Ka të bëjë me zbatimin e plotë dhe në tërësi të të gjitha detyrimeve që Kosova dhe Serbia i kanë marrë me Marrëveshjen bazë dhe aneksin e zbatimit të Ohrit. Dhe këtë duam ta shohim”, tha ndër të tjera ambasadori amerikan. /Telegrafi/