Site icon Telegrafi

Osmani: Do t’i kemi 14 komisione parlamentare, çdo të hënë mbledhje të Kryesisë, çdo të enjte seancë plenare

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit tha se tashmë do të jenë 14 komisione parlamentare, në përputhje me ri-sistematizimin e ministrive që është bërë.

Osmani tha se këto 14 komisione do t’i mbikëqyrin ministritë e caktuara varësisht nga fushëveprimtaria e tyre, ndërsa në të kaluarën ishin 16.

Ajo bëri të ditur se në mbledhjen e radhës së Kryesisë që do të mbahet të hënën do ta votojnë edhe formulën e ndarjes së komisioneve sepse do të presin zëvendësimin e disa deputetëve.

“Katër grupe parlamentare presin që të emërohen deputetët  e rinj në mënyrë që të jenë plotësisht funksionale dhe rrjedhimisht t’i caktojmë edhe vendet e deputetëve në ato komisione varësisht nga fusha e ekspertizës së tyre”, tha Osmani, raporton Telegrafi.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës tha se në Kryesi kishte dakordim të përgjithshëm që çdo të hënë të kenë mbledhje të Kryesisë dhe çdo të enjte të ketë seancë plenare në mënyrë që të mos grumbullohen pikat e rendit të ditës, e deputetët të kenë më shumë koncentrim dhe kontribut në ato pika që diskutohen.

Ajo tha se janë dakorduar edhe për disa punime në Kuvend në mënyrë që personat me nevoja të veçanta të kenë qasje më të lehtë në Kuvend.

Kryetarja e Kuvendit duke komentuar bojkotimin e mbledhjes së Kryesisë nga PDK-ja, tha se ajo nuk ka larguar fotografinë e presidentit Hashim Thaçi nga zyra, por vetëm e ka zhvendosur në një pjesë tjetër.

“Kryesia e Kuvendit nuk është njoftuar formalisht nga ana e PDK-së për një bojkot të tillë, e konsideroj tërësishëm të panevojshëm. Fotografia e presidentit aktual nuk është larguar nga ana e kabinetit tim, vetëm është zhvendosur”, tha ajo.

Osmani tha se opozita e kaluar ka pas arsye të madhe për bojkot të punimeve të Kuvendit për shkak se territori i Kosovës rrezikohej të ndahej, ndërsa sipas saj, opozita e tanishme nuk ka arsye për bojkot.

“Ne në asnjë moment nuk do ta rrezikojmë as integritetin territorial as sovranitetin e interesat e vendit”, tha ajo, duke falënderuar dy grupet tjera parlamentare opozitare për konstruktivitetin e tyre gjatë mbledhjes së Kryesisë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version