Site icon Telegrafi

Osmani: Do të kërkoj nga Hoti që të raportojë në Kuvend, para se të niset për në Washington

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani pas mbledhjes së Kyresisë ka bërë të ditur se do të kërkoj nga kryeministri Avdullah Hoti që të raportojë para Kuvendit para se të niset për në Washington.

“Me vendim unanim të anëtareve prezent të kryesisë, unë do t’i drejtohem kryeministrit në mënyre që ai t’i raportojë Kuvendit para së të niset për në Uashington, për takimin e datës 27 duke pasur gjithnjë parasysh çështjen e rëndësisë të dialogut. Do ta ftojmë kryeministrin që të vjen të raportojë në Kuvend, dhe kjo duhet të ndodhë para se të niset për në Washington”, deklaroi ajo.

Ajo theksoi se po ashtu për të martën është caktuar mbajtja e dy seancave.

“Kemi vendosur që t’i mbajmë dy seanca plenare e para do të jetë vazhdim i seancës së mbetur në gjysmë që ka të bëjë me ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare, kurse seanca e dytë ka të bëjë me krijimin e komisioneve ad-hock për përzgjedhjen e disa bordeve dhe komisioneve që presin të trajtohen në Kuvendin e Kosovës.

Një çështje tjetër e cila mund të trajtohet në atë seancë ose në ndonjë datë tjetër që e caktojmë do të jetë interpelanca e kryeministrit Avdullah Hoti që ka të bëjë me heqjen e reciprocitetit me Serbinë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se kërkesa për interpelancë të Hotit është bërë nga Grupi Parlamentar i LVV-së. /Telegrafi/

Exit mobile version