Telegrafi

Osmani: BE të jetë e zëshme në raport me Serbinë, ky shtet t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel

Në kuadër të vizitës dy ditore në Bruksel, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, është takuar me komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi ku kanë diskutuar lidhur me mbështetjen e mëtejme të BE-së në sigurimin e vaksinave për qytetarët e Kosovës si dhe për planin e investimeve ekonomike.

Osmani ka thënë se procesi i integrimit në BE është ndër qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, duke konfirmuar vullnetin e institucioneve të vendit dhe të gjithë qytetarëve për avancim të mëtutjeshëm në këtë proces.

“Është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se mungesa e ambicies ose angazhimit nga secila palë në procesin e integrimit evropian do të thotë që mbështetja dhe besimi i qytetarëve në rrugën e integrimit në BE mund të dëmtohet”, ka potencuar ndër të tjera Osmani.

Tutje në njoftim thuhet se Osmani ka ritheksuar faktin se Republika e Kosovës i ka plotësuar të gjitha kriteret formale për liberalizimin e vizave për zonën Schengen.

“Në këtë kontekst, u.d. Presidentja Osmani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi, teksa kërkoi edhe ndihmën e Komisionit Evropian për t`i bindur shtetet anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet në njoftim, sa i përket dialogut me Serbinë, u.d. Presidentja Osmani potencoi nevojën e unifikimit të gjithë spektrit politik në vend rreth këtij procesi në mënyrë që ai të përfundojë suksesshëm. Ajo kërkoi që BE të jetë e zëshme në raport me Serbinë në mënyrë që ky shtet t`i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. /Telegrafi/