Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka pritur në takim Ambasadorin e Italisë, Piero Cristoforo Sardi.
Sipas njoftimit për media, Osmani falënderoi Ambasadorin Sardi për bashkëpunimin dhe përkrahjen e deritanishme që Italia i ka ofruar Kosovës në të gjitha proceset shtetformuese.
Njëkohësisht, Osmani e njoftoi Ambasadorin Sardi për ecurinë e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LVV-së drejt një programi të unifikuar bashkëqeverisës duke ripotencuari rëndësinë që do të kenë në programin e Qeverisë së ardhme dialogu Kosovë – Serbi dhe reformat në sektorët kyç zhvillimor.
Në njoftim thuhet se ambasadori Sardi uroi Osmanin për mbarëvajtjen e suksesshme të zgjedhjeve parlamentare dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë italiane për të vazhduar përkrahjen ndaj proceseve të rëndësishme në Kosovë./Telegrafi/