Site icon Telegrafi

Presidentja Osmani me shpresë po “pa shumë pritshmëri” në Samitin e BE-së

Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë në Samitin e BE-së e ku pritshmëritë për liberalizim të vizave janë shtuar ndjeshëm së fundi. Në një intervistë për mediumin holandez NRC, Osmani ka thënë se shkon pa pritshmëri në lidhje me këtë çështje.

“Unë shkoj gjithmonë atje (BE) me shpresë, por pa shumë pritshmëri. Le të shpresojmë se nuk do të jetë një tjetër zhgënjim”, tha ndër të tjera Osmani.

Vendet anëtarë të nismës “Ballkani i Hapur”, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Serbia kanë paralajmëruar se mund të bojkotojnë këtë samit për shkak të zhgënjimit për mos hapjen e negociatave me shtetin shqiptar dhe atë maqedonas.

Bashkimi Evropian do të mbajë një takim të nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor më 24 qershor në Bruksel.

Lexo po ashtu Liberalizimi i vizave afër? - Pritet të diskutohet në Samitin e Bashkimit Evropian më 23 qershor

Ky takim përkon me seancën e planifikuar të Këshillit Evropian në datat 23 dhe 24 qershor, pasi anëtarët e Komisionit Evropian ranë dakord të propozojnë që Ukrainës t’i jepet statusi i kandidatit për në BE.

Një vendim i tillë ngriti çështjen e fillimit të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unioni duhej të hapte bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në fund të vitit 2020. Por Bullgaria ka bllokuar hapjen e bisedimeve zyrtare për shkak të një mosmarrëveshjeje me Maqedoninë e Veriut që lidhet me historinë dhe gjuhën.

Po ashtu, është ngritur edhe çështja e liberalizimit të vizave të Kosovës, pasi prej katër vitesh është konfirmuar për të dytën herë se ka plotësuar të gjitha kriteret. /kp/

Exit mobile version