Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas tragjedisë që ndodhi në Jabllanicë të Gjakovës, ku nga shembja e një objekti të pabanuar humbën jetën tre fëmijë.
Osmani në një postim në Facebook, ka shkruar se me dhimbje të thellë mori lajmin tragjik për këtë rast.
“Me zemër të rënduar dhe dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për humbjen e jetës së tre fëmijëve në Jabllanicë të Gjakovës, të cilët u shuan para kohe si pasojë e rrënimit të një objekti të pabanuar. Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojë dhimbjen e familjeve që sot po përballen me boshllëkun e pafund që lë pas humbja e më të dashurve të tyre”, ka shkruar Osmani.
Presidentja është shprehur se në këtë moment të rëndë pikëllimi, ndajmë me ju dhembjen e papërshkrueshme, duke shprehur ngushëllimet e sinqerta dhe duke qëndruar pranë jush me mendje e zemër.
“Shpirtrat e tyre të njomë u prehshin në paqe”, ka shkruar Osmani.
Lidhur me këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar se ende nuk dihen rrethanat që kanë shkaktuar shembjen e këtij objekti.
“Raportohet se në rrethana të panjohura është shembur një objekt, dhe si pasoj tre viktimat meshkuj kosovarë të mitur të cilët kanë qenë duke qëndruar brenda saj janë zënë nga pllaka. Në vendin e ngjarjes kanë dal të gjitha njësitet përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimave”, ka njoftuar policia.
Policia bënë të ditur se me vendim të prokurorit, trupat e pa jetë janë dërguar në IML për obduksion. /Telegrafi/