Telegrafi

Osmani për ofertën e Kurtit: Nuk mund të garojmë mes vete, kur jemi në garë me PAN-in

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, i është përgjigjur propozimit të Kurtit për listën e përbashkët zgjedhore pa kandidat për kryeministër.

Osmani pas mbledhjes së kryesisë ka thënë se i bëjnë ofertë LVV-së për bashkëpunim në mirëbesim dhe jo në garë.

“LDK kemi vlerësuar gjithë punën, angazhimin, në mirëbesim që e kemi bërë për bashkëpunim dhe për arritje të një koalicioni me LVV. Duam sërish edhe sot që t’i bëjmë ofertë atyre për bashkëpunim të sinqertë, të bëjmë ofertë për bashkëpunim në mirëbesim dhe jo për bashkëpunim në garë. Ajo çka është ka propozuar LVV e shpien garën ndërmjet nesh, kurse ne jemi në garë me PAN-in. Pra i ftojmë për një bashkëpunim të sinqertë dhe edhe njëherë i ftojmë ta rimendojnë këtë ofertë tonën, deri sonte kur përmbyllet afati, sepse siç e thash raportet tona duhet të ndërtohen duke i besuar njëri tjetrit dhe jo duke e luftuar njëri tjetrin”, ka thënë ajo përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu Kurti, Mustafës: Të garojmë me një listë të përbashkët pa kandidat, kryeministër të bëhet ai që merr vota më shumë

Osmani ka thënë se nuk duhet të vendoset garë mes saj dhe Kurtit.

“Ne nuk mund ta shpijmë garën në mes meje dhe Albinit, apo në mes ta aktivistëve tanë dhe aktivistëve të LVV, në mes të simpatizantëve tanë dhe atyre të Vetëvendosjes. Kemi tejkaluar çdo gjë deri tani, si ndryshimet programore, ideologjike. Kemi tejkaluar edhe çështje tjera që kanë të bëjnë me pozicione qoftë në listë apo ministri, prandaj i ftoj ata që të ri-mendojnë këtë qasje dhe ta ndryshojnë nga ajo për garë ndërmjet njëri tjetrit në mirëbesim. Të pranojnë ofertën tonë në mënyrë që me 6 tetor të dalim fitues. LVV ta pranoj ofertën tonë me listë të përbashkët me kandidaten e LDK-së, sepse një listë siç u tha sot që është pa krye është edhe pa orientim. Lista e përbashkët ka kandidatë të qartë për kryeministër”, ka thënë ajo.

Lexo po ashtu Mustafa refuzon propozimin e Kurtit rreth kandidatit për Kryeministër

Ndryshe edhe kru i kësaj partie, Isa Mustafa, ka thënë se propozimi i Kurtit shpie, nga gara me të tjerët, në garë ndëmjet dy partive, ndërsa kjo sipas tij do të dëmtonte seriozisht interesin e përbashkët./Telegrafi/