Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka pritur në takim Presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në takimin e sotëm presidentja Osmani ka falënderuar sekretarin Blinken për takimin dhe ka thënë se populli i Kosovës është mirënjohës për kontributin e vazhdueshëm të SHBA-së për Kosovën.
“Më lejoni t’iu falënderoj në emër të popullit të Kosovës, jetën e të cilëve e ka shpëtuar Amerika. Partneriteti ynë ka qenë ekzistencial gjatë gjithë historisë sonë dhe vazhdon të mbetet i tillë”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se partneriteti i Kosovës me SHBA-të nuk është vetëm i domosdoshëm por ishte ekzistencial për të arritur lirinë.
“Kosova sot është një demokraci në zhvillim. Kjo tregon se çfarë mund të arrijë bota demokratike me në krye SHBA-të kur përballemi me tiraninë. Ashtu siç keni qëndruar pranë nesh, sot jeni me Ukrainën. Populli i Kosovës gjithashtu qëndrojnë krah Ukrainës, siç e kemi treguar duke miratuar sanksione në ditën e njëjtë që e kanë miratuar SHBA-ja dhe BE-ja dhe gjithashtu iu kemi bërë thirrje të gjitha shteteve të rajonit të bëjnë të njëjtën”.
Osmani ka thënë po ashtu se garanton që Kosova është me popullin e Ukrainës kundër agresionit rus.
“Jemi të kënaqur të punojmë bashkë me ju, për të qëndruar në front të mbrojtjes së demokracisë dhe vlerat tona të përbashkëta. Bashkë me kryeministrin mirëpresim diskutimin për reformat, sidomos në sundimin e ligjit që ne i kemi filluar në vendin tonë”.
Osmani ka falënderuar Blinkenin për mbështetjen që Amerika i ka dhënë vendit tonë në fushën e mbrojtjes.
Ajo këtë e ka parë edhe në misionet jashtë vendit që ka bërë FSK me marinën amerikane.
Në një deklaratë për media, pas takimit, presidentja Osmani e ka quajtur të shkëlqyeshëm takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Ajo ka thënë se në këtë takim është konfirmuar se Republika e Kosovës nuk ka mik më të madh sesa Amerika.
“Pa përkrahjen e ShBA nuk mund të kemi sukses në organizatat ndërkombëtare që janë synimi i përhershëm yni. Kemi folur me Blinken për subjektivitetin ndërkombëtar dhe mënyrën se si Kosova fuqizohet nëpërmjet njohjeve dhe organizatave ndërkombëtare”, është shprehur Osmani.
“Kemi diskutuar edhe për rolin konstruktiv në dialogun Kosovë-Serbi. SHBA si partner që mbështesin pavarësinë, kushtetutshmërinë, gjithnjë kanë qenë të zëshëm në këtë drejtim. Si Biden edhe Blinken e kanë thënë qartë që procesi i dialogut të përqendrohet në njohje reciproke”, tha ajo. /Telegrafi/