Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani është ndarë përfundimisht me LDK-në. Ajo u shpreh se është shumë vonë për partinë e Isa Mustafës të kërkojë më mbështetje nga ajo në rast të zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkaq, e la të hapur mundësinë për bashkëpunim me kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.
“Natyrisht që po, përgjigja konkrete e saj është vendimi i tyre i 20 qershorit për të më përjashtuar. Aty ka përfunduar gjithçka”, tha ajo.
Kryeparlamentarja Osmani, e cila mori pjesë në një aktivitet të hënën për ndihmën juridike falas tha bashkëpunimin me VV-në do ta konkretizojë më vonë.
“Ne jemi në kontakt dhe bisedojmë për tema të ndryshme të bashkëpunimit se si do të konkretizohet ky bashkëpunim në të ardhmen do t’iu njoftojnë në momentin që do të konkretizohet”, tha ajo, raporton KP.
Ndryshe, disa muaj më parë Vjosa Osmani është shkarkuar nga detyra e saj si nënkryetare e LDK- së dhe anëtare e Këshillit të Përgjithshëm, pasi siç u tha nga kryesia e partisë nuk kishin qëndrime të njëjta.