Telegrafi

Osmani: NATO i dha vulën çlirimit të vendit tonë

Në shënim të 24-vjetorit të çlirimit të Kosovës, krerët e shtetit vendosen kurora lulesh te pllaka përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s.

Pas homazheve, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ditën e sotme e ka quajtur si më të rëndësishmen për vendin tonë.

E para e vendit, Osmani është shprehur përherë mirënjohëse për gjithë vizionarët e shtetit, aktivistët, ushtarët e UÇK-së dhe për aleatët që ndihmuan në çlirimin dhe pavarësinë e vendit.

“Sot shënojmë përvjetorin e një prej ditëve më të rëndësishme në historinë e kombit tonë, në historinë e Republikës së Kosovës, ditën kur shteti ynë u çlirua pas një lufte e cila rezultoi me gjenocid ndaj një populli të pafajshëm të Republikës së Kosovës. Tani po nderojmë ushtarët e NATO-s, ata që nga 10 qershori e tutje hynë në Republikën e Kosovës për t’ia dhënë vulën e çlirimit të vendit tonë.

Jemi mirënjohës përherë dhe përsërisim këtë mirënjohje në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës, për vizionarët e shtetit, për presidentin Rugova, gjithë aktivistët që dhanë gjithçka që të vendosin këto themele. Po ashtu për komandantin legjendar, Adem Jashari dhe gjithë ushtarët e UÇK-së që dhanë jetën e tyre për lirinë tonë, por edhe mirënjohje përjetshme për gjithë miqtë tanë të cilët na ndihmuan që lirinë, pavarësinë dhe demokracinë ta kemi realitet të cilin sot e gëzojnë gjithë qytetarët e Kosovës”, tha Osmani.

Lexo po ashtu Kurti: Ndërhyrja e NATO-s ndaloi gjenocidin e Serbisë mbi popullin tonë, gjithnjë falënderues dhe mirënjohës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjfuca derisa uroi gjithë popullin për këtë ditë, theksoi kontributin ë gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë që gëzon populli sot.

“Çlirimi i Kosovës është shembulli më i spikatur i bashkëveprimit të suksesshëm mes faktorit vendor edhe bashkësisë ndërkombëtare. Për ne ishte dita e ardhjes së lirisë një datë shume e çmuar për popullin e Kosovës, por ishte po ashtu edhe sukses i madh në planin ndërkombëtar. Sepse, dita e çlirimit të Kosovës koincidoi pikërisht edhe me ndalje e gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës. Kjo natyrisht nuk do të mund të arrihej edhe pa miqtë tanë të çmuar ndërkombëtarë, pa shtetet të cilat e ndihmuan çlirimin e Kosovës.

Por kjo ndodhi edhe pikërisht për arsye se kauza jonë ishte shumë e drejtë. Ne gjithçka po kërkonim si popull dhe qytetarë ishte që ta heqim pushtimin, okupimin serb shekullor në Kosovë. Për këtë ditë dhamë edhe shumë, kemi dhënë dëshmorët tanë, martirët e Kosovës dhe kishte shumë sakrifica dhe mund të popullit tonë për çlirim, prandaj ata do të kujtohen dhe nderohen gjithmonë, sepse janë në themelet e lirisë së shtetit tonë”, tha Konjufca. /KP/