Telegrafi

Osmani: Majlinda është Kosova, për ne mbetet kampione olimpike e përhershme

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se xhudistja Majlinda Kelmendi për ne do të mbetet kampione olimpike e përhershme.

Osmani në një postim në Facebook ka shkruar se Majlinda është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë.

“Majlinda për ne mbetet kampione olimpike e përhershme. Është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë, ajo që e ndriçoi emrin e Kosovës para krejt botës, ajo që ngriti flamurin tonë atje ku nuk arrinte askush tjetër dhe bëri që të dëgjohej e nderohej himni ynë në vende që nuk na njohin”, ka shkruar Osmani.

Lexo po ashtu Majlinda e pafat, eliminohet nga Lojërat Olimpike

Presidentja e cila këto ditë po qëndron në Tokio për të përcjellë nga afër atletët e Kosovës në Lojërat Oplimike, ka theksuar se Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër.

“Ajo i dha motiv çdo fëmije, çdo të riu, e mbi të gjitha çdo vajze, për të luftuar për ëndërrat e veta e për t’u ringritur gjithnjë pavarësisht sfidave.
Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër. Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë”, ka shkruar Osmani.

Lexo po ashtu Driton Kuka shkruan me shumë emocion pas eliminimit befasues të Majlinda Kelmendit

Presidentja ka shtuar se “Por jo vetëm falënderim Majlindë. Me ty jemi të gjithë, e arta jonë. Majlinda është Kosova!”

Ndryshe kmapionja e “Rio 2016”, Majlinda Kelmendi i, ka humbur në ndeshjen e parë dhe është eliminuar nga Lojërat Olimpike.

Të dielën, në “Nippon Budokan”, xhudistja jonë ka garuar në kategorinë deri 52 kilogramë, ku ka pësuar një humbje shokuese nga hungarezja Reka Pupp, duke bërë që synimi për të fituar një tjetër medalje olimpike të fashitet. /Telegrafi/