Site icon Telegrafi

Osmani: Kosova do të veprojë në partneritet me aleatët në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, me të cilët ka biseduar lidhur me zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, me theks të veçantë lidhur me situatën e fundit të sigurisë në Kosovë. Presidentja Osmani falënderoi për punën e shkëlqyeshme dhe profesionale, si dhe angazhimin e pashoq te Policisë së Kosovës.

Presidentja edhe njëherë ka shprehur vlerësimin e lartë për veprën e heroit të Kosovës, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakut, i cili u vra nga grupet kriminale e terroriste në veri të vendit.

Në takim u diskutua lidhur me zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës si dhe për koordinimet me aleatët tanë dhe prezencën ndërkombëtare te sigurisë në Kosovë, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Osmani takohet me ministrin e Mbrojtjes dhe komandantin e FSK-së, bisedojnë për sigurinë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës

Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për paqe dhe siguri në vend e rajon dhe se institucionet e Kosovës do të veprojnë në partneritet të ngushtë me aleatët tanë në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit territorial të Kosovës përballë veprimeve destabilizuese të Serbisë kundër Kosovës.

Për të diskutuar lidhur me zhvillimet e sigurisë dhe veprimet armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës, punën e institucioneve të sigurisë së Kosovës si dhe për koordinimet me aleatët tanë dhe prezencën ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë, presidentja Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari. /Telegrafi/

Exit mobile version