Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vënë në fokus shkeljet serioze të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë gjatë një takimi me ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ndërsa ambasadori Hovenier e përgëzoi për organizimin e suksesshëm të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, diskutimet u kthyen shpejt në sfidat të cilat po përballet Kosova përballë politikave të Beogradit.
Osmani theksoi ndalimin e qytetarëve të Kosovës në zonat kufitare nga ana e Serbisë, duke e cilësuar këtë veprim si një cënim të qartë të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe një shkelje të hapur të të drejtave të njeriut.
Ajo gjithashtu denoncoi arrestimet e paligjshme të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës si një veprim të papranueshëm dhe të dëmshëm për raportet ndërshtetërore.
Në kontekstin e këtyre shkeljeve, u bisedua edhe për rëndësinë e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për përgatitjet që po bëhen për të siguruar një mbarëvajtje të qetë dhe të sigurt të procesit të votimit në veri të vendit, i cili pritet të mbahet këtë fundjavë.
Në prag të mbledhjes së radhës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, u diskutua gjithashtu për përgatitjet dhe koordinimin me aleatët.
Osmani, e cila do të përfaqësojë Kosovën në këtë mbledhje, shprehu vendosmërinë e saj për të adresuar këto çështje në nivelin ndërkombëtar dhe për të mundësuar një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për qytetarët e Kosovës./Telegrafi/