Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka dënuar sulmin e sotëm ndaj mediave në Leposaviq.
Osmani, përmes një postimi në Twitter, ka thënë se gazetarët në veri të Kosovës u sulmuan sërish brutalisht nga bandat kriminale.
“Gazetarët në veri të vendit u sulmuan sërish brutalisht nga bandat kriminale. Ata që kryejnë këto sulme duhet të përballen me drejtësinë. Përpjekjet e tyre për të destabilizuar Kosovën do të dështojnë. Këto akte të tmerrshme të dhunës së vazhdueshme duhet të dënohen nga të gjithë. Sundimi i ligjit do të mbizotërojë”, ka shkruar Osmani.
Journalists in the north of 🇽🇰 were brutally attacked again by criminal gangs. Those carrying out these attacks must face justice.
Their attempts to destabilize Kosovo will fail.
These appalling acts of continued violence must be condemned by all. Rule of law will prevail.
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) June 16, 2023
Policia e Kosovës ka konfirmuar të premten se nëntë gazetarë të mediave të Kosovës janë sulmuar nga grupe kriminale gjatë ditës në Leposaviq, të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke raportuar për zhvillimet në këtë pjesë të vendit.
Sipas policisë, disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.
Duke i cilësuar si akte të tmerrshme dhune, sulmet ndaj gazetarëve e kanë dënuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, si dhe ambasadori I SHBA në Kosovë, Jeff Hovenier dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog. /Telegrafi/