Telegrafi

Osmani flet për Urën e Ibrit: Serbia s’pyetet për urat e Kosovës, hapja e saj kërkon koordinimi me aleatët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur sërish për çështjen e hapjes së Urës së Ibrit.

Osmani ka thënë se në takimet që i ka zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka pasur shenja se janë kundër hapjes së Urës së Ibrit.

“SHBA-ja asnjëherë, në takimet që kemi pasur, nuk kanë thënë që janë kundër hapjes së urës, por thjesht kanë kërkuar bashkëpunim në përcaktimin e momentit më të përshtatshëm nga aspekti i sigurisë dhe ndërtim të një plani të përbashkët për zbatimin e hapjes së urës, që është në interes të të gjithë qytetarëve tanë”, ka theksuar Osmani.

Presidentja Osmani, tutje ka thënë se Kosova duhet të sigurohet që ura në veri të hapet në atë mënyrë që nuk nxit konflikt me aleatët e vendit e as prani të shtuar të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Ajo urë nuk është dashut të mbyllet kurrë, ajo është mbyllur për arsye komplet politike. Ura duhet të hapet patjetër, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të jetë e hapur përherë, e jo që kur të hapet të nxitë një prezencë shumë më të madhe të NATO-s në të. Nuk është në interes tonin që të shohim konflikt mes policisë tonë dhe ushtarit amerikan. Ne nuk kemi arsye të kemi konflikte me aleatët tanë”, ka deklaruar Osmani.

Sa i për ketë deklaratave të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, Osmani ka thënë se nuk i komenton se ato janë raciste. Presidentja Osmani, ka thënë se për hapjen e urës nuk pyetet Serbia.

“Nuk besoj që meritojnë më shumë vëmendje nga ana e ime. Nuk ka asnjë arsye dhe kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e çështjes së hapjes së Urës në dialog. Nuk kemi çka e pyesim Serbinë, njësoj sikurse ky zëdhënësi që nuk e pyet asnjë nga shtetet fqinje kur e kalon urën e vet. Serbia nuk ka çka pyetet për urën brenda Kosovës”, ka thënë Osmani.

Ajo këto komente i bëri gjatë vizitës në Komunën e Vitisë, ku u prit nga kryetari i kësaj komune Sokol Haliti. /Telegrafi/