Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti po qëndrojnë në Paris të Francës, ku sot bëhet hapja solemne e Lojërave Olimpike Paris 2024.
Para ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike, presidentja Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj Prindoni dhe kryeministri Albin Kurti me bashkëshorten Rita, janë pritur në Pallatin Élysée nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij Brigitte, transmeton Telegrafi.
“Në Pallatin Élysée, bashkë me Prindonin u mirëpritëm nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë, Brigitte Macron, në nder të hapjes zyrtare të Lojërave Olimpike Paris 2024”, ka shkruar Osmani në Facebook, duke thënë se “Fryma olimpike i kapërcen kufijtë, përbashkon njerëzit dhe kombet dhe tregon fuqinë e sportit”.
Ndërsa, Kurti ka shkruar se “Bashkë me Ritën, në pritjen e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe zonjës së parë, Brigitte Macron në Pallatin Élysée, para ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike Paris 2024”. /Telegrafi/