Site icon Telegrafi

Osmani e Kurti homazhe te varri i Rugovës dhe Demaçit: Kontributi dhe sakrifica e tyre, udhërrëfyes për rrugën përpara

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kryeministrin Albin Kurti, kanë bërë homazhe te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi, me rastin e 12 qershorit, ditës së çlirimit të Kosovës.

Osmani uroj qytetarët e Kosovës për këtë ditë, duke thënë se 23 vite më parë Kosova u çlirua nga regjimi serb.

“Siç e dini më 12 qershor të gjitha forcat serbe u larguan nga Kosova pas krimeve të llahtarshme që kishin kryer ndaj popullatës civile në Kosovë dhe në Kosovë hynë forcat e NATO-s, UÇK-ja dhe u rikthyen edhe civilët që ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Në këtë ditë shprehim falënderimin dhe përkuljen tonë para kontributit të të gjithë qytetarëve. Filluam duke nderuar arkitektin e pavarësisë, presidentin historik Ibrahim Rugovën, i cili e bëri të qartë vullnetin e popullit të Kosovës para gjithë botës duke ndërtuar kështu ura miqësie që edhe sot e kësaj dite i shërbejnë Kosovës për të ecur përpara”, tha Osmani.

E kryeministri Albin Kurti u shpreh se humanitetin, durimin e qetësinë në politikë nuk mund ta paramendojmë pa presidentin Ibrahim Rugova.

“Sot shënjojnë çlirimin e vendit, paqen në Kosovë, lirin e popullit dhe kujtojmë ata të cilët kontribuuan që ne të jemi edhe të gjallë edhe të lirë.  Nuk mund ta paramendojmë humantietin, durimin, qetësin në politikë pa presidentin Ibrahim Rugova, i cili para se të bëhej president për herë të parë para 30 viteve, ishte intelektual i angazhuar i cili me insistimin e tij dha kontribut të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve e Kosovës në veçanti”, tha Kurti.

Kryeministri theksoi se do të insistojnë e angazhohen për drejtësi për të gjitha viktimat.

Pas kësaj Osmani e Kurti kanë bërë homazhe edhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Presidentja theksoi se “veprimtari Adem Demaçi është mëshirimi më j mirë i kësaj sakrifice që është bërë me dekada për liri e pavarësi. Sot e përgjithmonë përkulemi para veprës së tij dhe shembullit që dha”.

Kryeministri shtoi se “rezistenca dhe qëndresa e shqiptareve  pas luftës së dytë botërore nuk mund të paramendohet pa Adem Demaçin. Shqiptarët ishin të burgosurit politik kryesor në ish-Jugosllavi. Përafërsisht 666 shekuj burg i kanë mbajtur shqiptarët në Jugosllavi, dhe aty baca Adem ka shërbyer për popullin si ndërgjegjja e këtij vendi”. /Telegrafi/

Exit mobile version