Site icon Telegrafi

Orban i Hungarisë vjen me një ‘propozim të veçantë’ për Ukrainën

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka thënë se Ukraina duhet të lihet si një “tampon-zonë” midis Rusisë dhe Perëndimit, e cila do të ofronte disa garanci sigurie, por nuk do ta pranonte Ukrainën si një anëtare të BE-së ose NATO-s.

“Pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, u pëlqen apo jo ukrainasve, Ukraina është aty ku është në hartë. Perspektiva më e mirë është që ajo të jetë një zonë tampon midis Rusisë dhe Perëndimit – me garanci sigurie, sigurisht. Nëse kjo nuk funksionon, Ukraina do të vazhdojë të humbasë territorin”, ka thënë Orban, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Rusia do ta shkatërrojë Ukrainën përsëri dhe përsëri dhe përsëri. Rusia nuk do të pranojë kurrë të ketë një anëtare të BE-së dhe NATO-s si Ukraina në kufijtë e saj, kurrë”.

Në të njëjtën kohë, kryeministri hungarez beson se Ukraina dhe Gjeorgjia mund të ishin anëtarësuar në BE dhe NATO në vitin 2008, por kjo mundësi u humb dhe bashkë me të shkuan “perspektivat e Ukrainës për anëtarësimin e ardhshëm në BE dhe NATO”.

Lexo po ashtu Shefi i ri i ushtrisë së Ukrainës po përballet me "sfidën e parë serioze urgjente" në luftën kundër Rusisë

Ndërsa në përgjigje të një deklarate të ish-kancelarit austriak Wolfgang Schüssel, se një armëpushim tani do të nënkuptonte humbje për Ukrainën, Orbán tha se vlerësimi mund të varet nga “si e shohim ne të ardhmen”, pasi Ukraina mund të humbasë edhe më shumë territor ndërsa vazhdon faza e nxehtë e luftës.

Kryeministri hungarez gjithashtu nuk u pajtua me argumentet se anëtarësimi i Ukrainës do të mbronte Evropën, pasi pothuajse të gjithë anëtarët e BE-së janë tashmë anëtarë të NATO-s dhe aleanca është më e fortë se Rusia.

“Nuk ka asnjë rrezik që Rusia të sulmojë një shtet anëtar të NATO-s”, citohet të ketë thënë Orban.

Ai shprehu gjithashtu mendimin se Rusia nuk do ta marrë kurrë seriozisht Ukrainën si partnere në negociata – “vetëm SHBA-në dhe ndoshta BE-në”. /Telegrafi/

Exit mobile version