Deputetët opozitarë kanë reaguar në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që t’ia njohë Manastirit të Deçanit të drejtën në pronë në 24 hektarë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka thënë se krejt jeta politike e Albin Kurtit është tërheqje, dorëzim dhe mashtrim.
“U dorëzua dhe u tërhoq edhe për tokat e Manastirit të Deqanit. I fali 1000 hektarë tokë për një anëtarësim në KE. U dorëzua në luftë…! U dorëzua në dialog, pa kushte. U dorëzua dhe e pranoi Zajednicën”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Sipas tij, Kurti në Ohër ka pranuar autonomi për serbët dhe Kishën Ortodokse Serbe.
“U dorëzua në luftën kundër korrupsionit, tani i mbron të korruptuarit dhe i sulmon prokurorët, që po ja arrestojnë bashkëpunëtorët. U dorëzua në betejën kundër nepotizmit, politizimit dhe partizimit të institucioneve publike, tani përpiqet të legjitimoj dukuritë negative”.
“U dorëzua dhe u tërhoq nga referendumi për Bashkim Kombëtar. U dorëzua dhe po tërhiqet nga Veriu duke organizuar referendum për të larguar kryetarët shqiptarë nga komunat veriore. U dorëzua dhe u tërhoq për demarkacionin me Malin e Zi. U dorëzua dhe u tërhoq nga kërkesa ‘Drejtësi për Astrit Deharin’, a në fakt vet i zhduken dhe djegën mostrat në Mjekësinë Ligjore”.
“Nga frika e zbulimit nuk votojnë as Komision Hetimor për ta zbardhur të vërtetën e rastit të Astritit. Asnjë zotim, premtim i përmbushur. Albin Kurti të gjitha i ka dorëzim dhe mashtrim”, ka shkruar më tej deputeti i PDK-së.
Për vendimin e ekzekutivit ka reaguar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.
“Pas hidrocentraleve bie ‘kauza’ tjetër e kamotshme e VV-së, për pronat e Manastirit të Deçanit. Keqardhje për qytetarët që besuan, e deçanasit po paguajnë faturën e mashtrimit”, ka shkruar Zemaj në Facebook.
Vendimi për pronat e Manastirit të Deçanit është marrë në mbledhjen e ekzekutivit të mërkurën. Kryeministri Albin Kurti para kabinetit qeveritar tha se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës. /Telegrafi/