Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të enjten që vjen, por si pikë e rendit të ditës nuk do të jetë demarkacioni me Malin e Zi.
Megjithatë partitë në pushtet thonë se kjo çështje do të vijë shumë shpejtë për ratifikim, dhe si opsion mbetet qershori, raporton KTV.
Opozita paralajmëron se do të përdorë metodat e njëjta të bllokadës.
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se do të përdorin edhe metodat e njëjta siç janë përdorë deri tash vetëm për të penguar ratifikimin e asaj marrëveshje të dëmshme në Kuvend.
Ndërkohë Albert Krasniqi që e mbikëqyr punën e Kuvendit thotë se nuk do të duhej të ishte çështja e demarkacionit pengesë për seancat tjera të rregullta. Ai thotë se ka mos interesim nga vetë partitë në pushtet, prandaj është ky volum i punës në Kuvend.
Edhe Albulena Haxhiu ka thënë se kjo tregon qartë se nuk ishte opozita ajo që e pengonte punën e Kuvendit, por janë vetë deputetët e partive në pushtet që po e bëjnë një gjë të tillë.
Në krejt këtë periudhën e fundit që prej bojkotit të opozitës, seancat e Kuvendit mezi kanë arritur të mbahen në mungesë kuorumi. Vetëm 10 për qind është përmbushur agjenda legjislative ndërsa nga 128 ligje janë miratuar vetëm 14.