Telegrafi

Opozita kritikon Kurtin për shtesat e policëve: Dukshëm më të ulëta se në të kaluarën

Opozita ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti lidhur me shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilat i prezantoi në mbledhjen e Qeverisë të premten.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se këto shtesa janë propozuar nga Kurti pas 10 muajve vonesë dhe sipas tij, janë dukshëm më të ulëta krahasuar me shtesat e mëparshme.

Lexo po ashtu Qeveria e Kosovës propozon shtesat për policët

“Kjo vonesë dhe ulja e tyre përbëjnë nëpërkëmbje të përkushtimit të të gjithë burrave dhe grave në Policinë e Kosovës që janë në shërbim të rendit, ligjit dhe sigurisë kombëtare në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se halli i kryeministrit është që ta zhvendosë vëmendjen nga pranimi i propozimit të Asociacionit.

“Sot, Qeveria dhe Kryeministri Kurti gjetën rastin t’ua ndajnë shtesat policëve. Unitetin dhe frymën policore, të përkrahur fuqishëm nga uniteti qytetarë në përkrahje të këtij institucioni model, e ndau në kategori sipas tekeve të tij. I diskriminoi, i përqau, i ofendoi, me dallimet që bëri sipas përqindjeve kuturu. Ndoshta, kjo ka të bëjë me hallin e Kurtit për zhvendosje të vëmendjes nga pranimi i propozimit të Asociacionit”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Lexo po ashtu Kurti: Në qershor dhe korrik të këtij viti, afro 700 policë kanë pasur të ardhura mesatare më të larta se presidentja

Ai tutje është shprehur se “është skandaloze që këta njerëz me këtë mendësi të mbrapshtë, me qëllime të ulëta, ngatërrojnë pagën me shtesat”.

“Kështu ju duhet në këto momente turbulencash. Janë në zor. A e dinë këta të paaftë, që policëve dhe kategorive tjera u takojnë shtesat, pavarësisht nivelit të pagës. Kjo, dëshmohet edhe me faktin që vendimi i sotshëm i Qeverisë vlen edhe retroaktivisht. Fiks, para 5 viteve ishte përcaktuar qartë se shtesat maksimale për rrezikshmërinë për policët mund të shkonin deri në 210 euro. Nuk vepruan edhe kur i rrezikuan në veri”.

“Nuk mund të luani me policët, nuk do të luani me nëpunësit civilë, edhe pse duke u marrë me presionet ndërkombëtare, të cilat i provokuat për një kohë të gjatë, ju ka humbur rruga në oborr! TURP! Qeveri përnjëmend koti”, ka deklaruar Tahiri. /Telegrafi/